Deklarata e presidentit Ilir Meta nga Vlora për pjesëmarrjen në zgjedhjet kanë ndezur përplasjet mes zv.kryeministrit Erion Braçe dhe zëdhënësit të kreut të shtetit, Tedi Blushi. Teksa po zhvillonte një konferencë për shtyp në Vlorë, Meta u pyet nga gazetarët për qëndrimin e tij lidhur me skadencën e kartave të identifikimit gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.
Kreu i shtetit me humor shtoi se qytetarët do të votonin edhe me shpata, fjali që ka ndezur reagime nga kampi i socialistëve. Braçe i ka drejtuar disa pyetje Metës, duke shpërndarë edhe lajmet e mediave që pasqyruan deklaratën e tij.
“President, pse duhet të votojmë me shpata?! Na u bë një jetë që votojmë me letër e laps, pse këtë herë duhet të votojmë me shpata?! Pastaj ku votojnë me shpata sot?,”-shkruan Braçe.
Përgjigjia nuk i erdhi nga Meta por nga zëdhënësi i tij, Tedi Blushi, i cili i ka kërkuar që të mos thumbojë për t’u bëjë thirrje shqiptarëve që të votojnë masivisht.
“Erion hiq dorë nga këto mistrecllëqe, se ty nuk të shkojnë dhe as të kanë hije! Boll më me këto marifete të dala boje! Bëju thirrje shqiptarëve për të dalë masivisht në votime! Mos u trembni nga vota e shqiptarëve! Referendumin historik të 25 prillit nuk e ndal më asnjë mistrecllëk apo marifet me kartat ID! Ti këtë e di shumë mirë! Ke dhe eksperiencën e duhur për ta kuptuar! Dhe si ish gazetar, e ke një detyrim në respekt të profesionit, t’u bësh thirrje ish-kolegëve të tu, të mos fabrikojnë më lajme të rreme dhe të publikojnë marrëzira për një tas përshesh! Në pritje të reflektimit tënd Erion!,”-shkruan Blushi.
Mesa duket përplasjen që ka nisur që në mëngjes mes Metës dhe Ramës, e kanë vijuar dy prej personave më të besuar të tyre.
