Shqiptarë nga Amerika dhe vende të ndryshme të Evropës janë bërë bashkë sot në Hagë për një protestë të thirrur në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Protesta pritet të nis në orën 14:00 dhe nuk do të mbahet para ndërtesës së Gjykatës Speciale, sepse kjo nuk është lejuar për shkaqe të sigurisë, por vetëm në afërsi të saj.
Protestuesit që janë ish-luftëtarë e qytetarë të tjerë nga vende të ndryshme të botës tashmë kanë përgatitur pankartat përmes së cilave do të përcjellin mesazhet e tyre. Të gjitha mesazhet do të jenë në gjuhën angleze pasi që ato janë të dedikuara për Gjykatën Speciale që është më staf tërësisht ndërkombëtar, dhe Bashkimin Evropian si financues i këtij institucioni. Disa autobusë janë nisur edhe nga Kosova.
Kjo protestë, përmes së cilës kërkohet drejtësi, vjen vetëm një ditë para se të nis dëgjimi i dëshmitarit të parë të mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së.
Në sallën e gjyqit nesër, më 15 shtator në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaci pritet të paraqitet James Rubin, amerikani i cili gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmës sekretar i Shtetit. Pas tij do të ketë edhe dëshmitarë të tjerë që janë figura nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania. Fillimisht do të dëgjohen dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit, e më pas të Jakup Krasniqit.
Ajo çka pritet janë rreth 11 dëshmitarë të mbrojtjes së Thaçit më sallën e gjyqit, dhe dy të tjerë të Krasniqit dhe dëshmitë e tyre synohet të jepen në seanca të hapura.
