“Me një plumb humbën dy jetë, ajo e Ninës dhe e imja”, ka thënë 39-vjeçari shqiptar, i cili qëlloi për vdekje partneren e tij rumune, brenda banesës ku jetonin në rrugën Patroklou në Kaminia, Greqi.
Gentian Mino ka pretenduar se e shkrepi armën gabimisht teksa po “ngacmonte” të dashurën e tij 29-vjeçare, pasi kjo e fundit nuk ndihej mirë kur shikonte pistoletën. Në një moment, shqiptari ka rrëfyer se Nina pa pistoletën dhe nuk ndihej mirë. 29-vjeçarja nuk e donte pistoletën në shtëpi dhe nuk donte ta shihte para saj.
Ajo i kërkoi që t’ia hiqte nga sytë dhe shqiptari ka pretenduar se reagimi i partneres iu duk qesharak, ndaj ka vendosur ta ngacmojë edhe më shumë, siç pretendon ai, duke i drejtuar armën për të cilën mendonte se ishte në siguresë.
Teksa 39-vjeçari bënte shaka, arma që mbante në dorë është shkrepur duke qëlluar për vdekje të renë. Ai ka njoftuar menjëherë policinë dhe ambulancën. “Çfarë bëra; Çfarë bëra; Nuk e desha”, ia përsëriti ai policisë që e arrestoi jashtë shtëpisë ku i priste në gjendje shoku.
39-vjeçari pohon se ai dhe Nina ishin shumë të dashuruar. Ai mohon të ketë pasur sjellje abuzive ndaj saj, siç kanë raportuar disa fqinjë. Shqiptari pranon se si çift kanë pasur disa grindje, por asnjëherë dhunë. Madje pretendon se jeta e tyre intensive seksuale ndoshta i shqetësoi disa fqinjë që u ankuan.
