Ilva Dodaj, shqiptarja që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është 1 ndër arkitektet më të vlerësuara nën moshën 40 vjeç në SHBA.
Në një intervistë për emsionin “Opinion”, arkitektja e ndriçimit, Ilva Dodaj tregon se vendimin për të ikur vetëm në SHBA e mori në moshën 18-vjeçare teksa thotë se arsyeja ishte qëllimi për të ia dalë vetë në një arenë ndërkombëtare.
Ilva thotë se ka filluar punën në 2007-ën në kompaninë që është pjesë e saj dhe sot si drejtoreshë e dizenjos.
Blendi Fevziu: A e pate të lehtë që të qëndroje në SHBA dhe a ishte vendim i yti apo kishe dhe dëshirë që të ktheheshe?
Ilva Dodaj: Kam ikur 18 vjeç me 2 valixhe dhe pa shumë njohje në vitin 2003.
Blendi Fevziu: Pjesa më e madhe e shqiptarëve kanë ikur me 1 apo 2 valixhe. Ka pasur dhe nga ata që nuk kanë pasur asnjë valixhe, hipur mbi anije dhe pjesa më e madhe e tyre janë qytetarë model të botës.
Ilva Dodaj: Mendoj se kjo është arsyeja pse ika. Unë ika se doja të ia dilja vetë në një arenë ndërkombëtare. Shqipëria më dukej shumë e vogël, kisha plane shumë të mëdha dhe ashtu doli. New Yorkut i kam dhënë shumë, më ka marrë shumë.
Blendi Fevziu: Në cilin vit fillove punë?
Ilva Dodaj: Në 2007-ën kam nisur punë në profesion pranë firmës me të cilën jam akoma, është plot 15-vjetori im që punoj me to. Jam drejtoreshë e dizenjos aty. Jam e specializuar në arkitekturën e ndriçimit, është profesion i ri në të gjithë botën.
Blendi Fevziu: Në një kërkim të thjeshtë në Google ju dilni si 1 ndër 20 arkitektet më të vlerësuara nën 40 vjeç në SHBA dhe novatore në shumë prej projekteve të ndriçimit.