Pushimet e verës mbaruan dhe thirrjet për protestë dhe qeveri teknike dëgjohen vetëm mbrëmjeve nga ballkoni i Sali Berishës. Ditën, fokusi i aksionit politik dhe parlamentar i demokratëve do të jetë një tjetër. ”Motoja jonë e aksionit politik dhe parlamentar do të jetë, nuk ka zgjidhje pa zgjedhje të lira dhe të ndershme”,-tha kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi.
Garancitë për zgjedhje të lira, për momentin kërkojnë t’i marrin jo me protesta dhe as me bllokim seance, por në tryezën e dialogut me mazhorancën. ”Do duhet të vijojë dialogu për të përmbyllur reformën kuptimplotë zgjedhore. Shëmtinë e zgjedhjeve që kemi para gjatë gjithë kohës që qeveris Edi Rama ku diktoi paratë e pista të korrupsionit apo krimi i organizuar Shqipëria duhet ta lërë pas”.
Krahas betejës për reformë elektorale opozita parashikon të kërkojë ngritjen e dy komisioneve hetimore, për teatrin dhe pronat në bregdetin e jugut, për të cilat kanë vënë nën akuzë dhe familjarë të kryeministrit. Nuk do heqin dorë as nga interpelancat. ”Një prej të cilës e kemi depozituar atë për mbetjet e rrezikshme me kryeministrin Edi Rama”,–tha më tej Bardhi. Apelit për mbledhje në seli të grupit që kontrollohet nga Sali Berisha, për herë të parë iu përgjigj edhe Jorida Tabaku.