Nga ROLAND QAFOKU
2 vjet, 4 muaj e 4 ditë. Pak njerëz e dinë që shtatorja e Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” e rrëzuar si sot 32 vjet më parë, qendroi kaq pak kohë. Ajo u përurua në një ceremoni të veçantë më 16 tetor 1988 nga pasardhësi i Hoxhës, Ramiz Alia, i cili mbante në të njëjtën kohë detyrën e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor por edhe të Sekretarit të Parë të PPSH. Ky moment është fiksuar në foton e parë. Aty dallohet Alia bashkë me shpurën e drejtuesëve të shtetit komunist të asaj kohe si dhe e veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Në atë fjalim, mes të tjerave, Alia tha se ashtu siç u largohesh maleve dhe aq më shumë duken madhështore, edhe figura e Enver Hoxhës sa më shumë kohë kalon aq më madhështore duket. Pas këtij momenti kaluan vetëm 2 vjet, 4 muaj e 4 ditë dhe shtatorja dhe miti i Enver Hoxhës u rrëzua (Fotoja e dytë). Për mua kjo është fotoja më e realizuar dhe autori Armando Babani ka treguar taletin e tij në perfeksion.
Ishte ora 13.55 e 20 shkurtit të vitit 1991 kur rreth 1 mijë persona të guximshëm, kryesisht të rinj, e rrëzuan atë pas një përplasje me policinë dhe Gardën që zgjati rreth një orë. Fatmir Merkoçi ishte i vetmi person që mbeti plagosur nga kjo përplasje. 24 orë më parë, më 19 shkurt, 723 studentë dhe pedagogë të Univeristetit të Tiranës ishin futur në grevë urie si presion për heqjen e emrit të Enver Hoxhës që mbante universiteti. Kjo është edhe arsyeja pse pas rrëzimit turma e dërgoi statujën të ngarkuar në një kamion pikërisht në Qytetin “Studenti” (Fotoja e tretë). Statuja ishte kompozuar dhe ndërtuar nga skulptori Shaban Hadëri dhe piktori Sali Shijaku. Ajo ishte një masiv gjigand prej bronxi e lartë 8 metra dhe e vendosur në një pedestal rreth 1 metër të lart. 20 shkurti i vitit 1991 është ngjarja e tretë më e rëndësishme që shënoi rrëzimin përfundimtar të komunizmit pas 2 korrikut të vitit 1990 kur 5 mijë persona mësynë në ambasadat e huaja si dhe 8 dhe 12 dhjetorit 1990 kur u themelua PD dhe u vendos pluralizmi politik në vend.


