Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerëson se gjyqtarja e Korçës, Ariola Kristo dështoi të provonte ligjshmërinë e gjithë burimeve të deklaruara se kishin shërbyer për ndërtimin e një banese me tre kate + bodrum, si dhe për mobilimin dhe investimet e tjera në këtë objekt.
Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, Ariola Kristo u shkarkua nga detyra më 8 shtator 2021, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë, si dhe nuk kishte burime të ligjshme për justifikimin e tyre.
Ndërkohë, ajo u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin u konkludua se ka arritur nivel kualifikues.
Ariola Kristo përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Korçës, ku punoi prej gati dy dekadash.
Pamundësia për të provuar burimet e ligjshme që kanë shërbyer për blerjen e një trualli dhe ndërtimin e një banese me tre kate + bodrum në qytetin e Korçës, penalizoi gjyqtaren Ariola Kristo. Ajo ka deklaruar se trualli është blerë në nëntor të vitit 2005 dhe se shtëpia ka filluar të ndërtohet në vitin 2007, ndërkohë që punimet kanë përfunduar në 2008-ën, kur edhe është regjistruar.
Sipas Kristos, në këtë banesë jetojnë edhe prindërit e bashkëshortit të cilët kanë kontribuar në ndërtimin e saj, si dhe kanë në përdorim katin e parë dhe bodrumin, që i kanë arreduar ata vetë.
Vlera totale e pronës e pasqyruar në deklaratën veting nga subjekti është 14.9 milionë lekë, nga të cilat trualli në shumën 1.9 milionë lekë; banesa 10 milionë lekë; mobilimi 2.5 milionë lekë dhe 500 mijë lekë kanë kushtuar grilat e jashtme.
Komisioni konstaton se subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar në vitin 2006 ndërtimin e objektit dhe prishjen e banesës së vjetër të blerë prej bashkëshortit në nëntor të 2005-ës. Gjithashtu, nuk ka deklaruar për vitet 2006 dhe 2007 lejen e ndërtimit, kontratën me shoqërinë “N.” sh.p.k, si dhe lejen për prishjen e ndërtimit dhënë kësaj shoqërie.
Si burime të krijimit të shtëpisë, subjekti ka deklaruar një hua marrë me kontratë verbale në vitin 2005 nga xhaxhai i bashkëshortit S.K., në vlerën 1,5 milionë lekë; dy kredi marrë në “Alpha Bank”, e para ka vlerën 30 mijë euro dhe e dyta 2,5 milionë lekë; si dhe një hua marrë nga Th. L., me kontratë noteriale të tetorit 2011 në shumën 2,5 milionë lekë. Huaja e marrë në vitin 2011 është përdorur kryesisht për të shlyer kredinë e dytë nga “Alpha Bank”, në vlerën 2,5 milionë lekë.
Kristo ka deklaruar si burime dhe kursimet e gjithë familjarëve para martesës, në shumën totale 2.1 milionë lekë, që kanë qenë të depozituara në dy llogari bankare, si dhe kursime të tjera në vlerën 400 mijë lekë. Gjithashtu, ka deklaruar se prindërit e bashkëshortit kanë kontribuar dhe me një vlerë 20 mijë euro të përfituar nga shitja e banesës.
Komisioni vlerëson se Kristo nuk ka arritur të provojë marrjen e huasë 1.5 milionë lekë në nëntor të vitit 2005 që është deklaruar se ka shërbyer për blerjen e truallit dhe as burimet e ligjshme të huadhënësit për kursimin e kësaj shume.
“Në rastin konkret jeni para situatës kur: […]Marrja dhe dhënia e huas është bërë jashtë sistemit bankar dhe e vetmja provë shkresore për ekzistencën e saj është DIPP-ja e vitit 2005 dhe DIPP-të 2006 dhe 2007, për pasojë, të pamjaftueshme për të provuar dhënien dhe shlyerjen e huas”, vlerëson KPK. Gjithashtu, prej KPK-së konstatohet se nuk u provua bindshëm dhe në mënyrë shteruese vlera e të ardhurave familjare të huadhënësit, e për rrjedhojë trupi gjykues çmon se subjekti nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimit të shumës 1.5 milion lekë.
Pamundësi financiare e pjesshme ka rezultuar dhe në krijimin e kursimeve para martesës, pasi për dy llogaritë bankare në shumën totale 2.1 milionë lekë ka rezultuar balancë negative në shumën 190 mijë lekë. Ndërkohë, është konkluduar se subjekti dhe bashkëshorti kanë pasur mundësi për të kursyer vlerën 400 mijë lekë të pasqyruar në deklaratën veting si të përfituar nga të ardhurat prej pagave gjatë vitit 2015.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në kredinë me vlerë 30 mijë euro, ndërsa për vlerën 2.5 milionë lekë është konstatuar mospërputhje lidhur me qëllimin e marrjes së saj. Ndryshe nga sa është pasqyruar në dokumentacionin bankar, ku është deklaruar se kredia është marrë me qëllim rikonstruksionin e banesës, gjatë hetimit administrativ Kristo ka deklaruar se shuma 2.5 milionë lekë ka shërbyer për mbulimin e mobilimit të shtëpisë.
Trupi gjykues ka çmuar që pasaktësinë në deklarim për destinacionin e përdorimit të kësaj kredie ta përfshijë në vlerësimin përfundimtar për kriterin e pasurisë.
Për huanë 2.5 milionë lekë të marrë nga shtetasi Th. L., shumë që ka shërbyer kryesisht për të shlyer kredinë e dytë nga “Alpha Bank”, po në vlerën 2,5 milionë lekë, Komisioni konkludon se huadhënësi ka pasur mundësi të krijojë të ardhura nga burime të ligjshme në këtë vlerë.
Po ashtu, është konsideruar në analizë dhe shuma 20 mijë euro e deklaruar si e dhuruar nga prindërit e bashkëshortit, që sipas subjektit e kanë përfituar këtë vlerë nga shitja e banesës. Kristo ka deklaruar se këto të ardhura janë dërguar prej blerësit të shtëpisë nga shteti grek, veprim që është dokumentuar te nxjerrja e llogarisë nga ‘ProCredit Bank’.
Sipas KPK, është vërtetuar krerja e transfertës bankare të vlerës 21 mijë e 967 euro nga shteti grek prej palës blerëse, në llogarinë e babait të bashkëshortit të subjektit. Për rrjedhojë, nuk janë vlerësuar penalizuese në konsiderimin e kësaj shume pasaktësitë e Kristos, që në vitin 2008 ka deklaruar se shuma 20 mijë euroka qenë dhurim nga prindërit e bashkëshortit; në deklaratën ‘veting’ është pasqyruar si burim i krijimi i banesës dhe si të ardhura nga shitja e shtëpisë së prindërve të bashkëshortit; ndërsa gjatë procesit të rivlerësimit është pretenduar si kontribut për ndërtimin e banesës së përbashkët.
Gjatë hetimit, Komisioni ka konstatuar se Kristo nuk ka pasqyruar në deklaratën ‘veting’ si burim krijimi të truallit dhe shtëpisë tre kate një kredi të marrë në qershor të vitit 2013, për të cilën ka shpjeguar gjatë procesit të rivlerësimit se ka shërbyer si burim për vendosjen e grilave të jashtme. Megjithatë, KPK e ka konsideruar në analizën financiare edhe këtë shumë si burim të krijimit të pasurisë.
Në fund të analizimit të burimeve të krijimit të truallit dhe objektit tre kate + bodrum, si dhe të mobilimit dhe grilave të jashtme, Komisioni ka konstatuar balancë negative në shumën 3.2 milionë lekë.
Pamundësi financiare në shumën 323 mijë lekë është gjetur dhe në blerjen e një automjeti tip Mercedes-Benz në vitin 2013 për çmimin 400 mijë lekë dhe balancë negative 27 mijë lekë për blerjen e një Benz-i në 2006-ën.
Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003 – 2016 është konkluduar balancë negative totale në shumën 4.5 milionë lekë./ BIRN