Me lot po e “mbush” banesën që në fakt është nën “pushtetin” e ujit. Katet e para të banesave në zonën e ish-Kënetës në Durrës janë përmbytur. Një nga banorët, thotë se situata është shumë e rëndë dhe se nuk kanë asnjë shpresë.
Ajo tregoi për “Euronews Albania”, se asnjë nga autoritetet nuk kanë qenë në zonë për t’u dhënë ndihmë, ndërkohë që theksoi se gjithë orenditë e shtëpisë janë dëmtuar.
“Para dy vitesh ka ndodhur kjo situatë, shtëpia më është përmbytur. Orendive i ka hyrë uji. Askush nga shteti nuk ka ardhur deri tani. Kemi kërkuar ndihmë, kemi shkuar në bashki por nuk do t’ia dijë askush. Uji vjen nga kanalet. Ne përmbytemi vit për vit. Ne nuk kemi të bëjmë shtëpi të re. Ne po punojmë për copën e bukës. Ne jemi të mbaruar. Nuk kam mundësi më, ose të dal në rrugë të madhe. Është shumë e rëndë për mua edhe si prind; fëmijën që e kam çuar në shkollë, me lotë e kam çuar; nuk shtyhet. Jemi në qiell të hapur”.
