Kryetari i PR, Fatmir Mediu, me anë të një postimi në “Facebook” e ka quajtur antikushtetuese mungesën e anëtarëve të KQZ-së, ndaj dhe i ka kërkuar Kuvendit të nisë procedurat për shkarkimin e tyre nga detyra.
“Çdo gjë ka marrë fund, s’ka Kushtetutë, s’ka shtet, s’ka institucione, jetojmë në Republikë bananesh. Partia Socialiste me mospjesëmarrjen e saj në KQZ ka bojkotuar zgjedhjet dhe institucionet. Mosparaqitja e anëtarëve të KQZ-së në mbledhjen e sotme është precedenti më i rëndë që nga krijimi i këtij institucioni.
Ata sot jo vetëm i kanë rënë ndesh dekretit të Presidentit në fuqi dhe s’kanë respektuar detyrimin e tyre kushtetues dhe ligjor për të organizuar zgjedhje, por kanë thyer edhe betimin e bërë para Kuvendit kur kanë marrë detyrën.
Ky është shkak për shkarkimin e tyre të menjëhershëm. Kuvendi duhet të mblidhet menjëherë e të marrë masa. Duke mos u paraqitur, ata kanë zhveshur veten nga zyrtarë apolitikë dhe kanë marrë hapur krah politik, si celulë e Partisë Socialiste. Opozita ka përgjegjësinë historike për të gjetur zgjidhje, në partneritet me faktorin ndërkombëtar dhe shqiptarët”, shkruan Mediu në “Facebook”.
