Mjeku i njohur, Pëllumb Pipero tha se rritja e rasteve nuk është aq shqetësuese, por shtoi se me shqetësim duhet parë rritja e të shtruarve në spitale.
Mjeku shtoi se një mbyllje e dytë nuk shihet si strategji e mirë, por theksoi se para marrjes së kësaj mase ekstreme, qytetarët dhe bizneset duhet të respektojnë protokollet shëndetësore, të diktuara nga Ministria e Shëndetësisë.
“Së bashku duhet të mos mendojmë për një izolim të dytë. Mbyllja nuk është zgjidhje, ishte një zgjedhje e detyruar për momentin, por rast pas rasti mund të bëhet në qytetet e vogla. Askush nuk mund ta parashikojë, por nuk do të ishte një zgjidhje që e ndihmon qoftë frenimin, qoftë ekonominë dhe e kam të vështirë të them se cilat do ishin shifrat për të marrë këtë masë ekstreme. Mund të kemi kufizime të arsyeshme. Ne jemi koshientë, që vatrat kryesore që transmetohet virusi janë fëmija, brenda të njëjtës familje, janë të rinjtë, janë restorante, lokalet, baret. Respektimi i protokolleve strikte, kufizimi i orareve në lokalet e natës. Nëpër lokale nuk respektohet distanca nëpër lokale. Janë një sërë protokollesh që duhet respektuar normalisht. Duke përjashtuar shkollat, unë mendoj se jo tani, por duke parë në vijimësi duhet komunikuar me bizneset për kufizime të arsyeshme, dhe të nevojshme”, tha ai për Euro News.