Ministrja e Arsimit Besa Shahini gjatë inspektimit të shkollës së dëmtuar 9-vjeçare “Ramazan Subashi” në Marikaj, Vorë bëri të ditur dhe si do të nisë konkretisht mësimi.
Ajo ka kërkuar që rifillimi i mësimit të bëhet me fleksibilitet në ditët e para dhe të fillohet me një informim shumë të mirë për t’u mbrojtur dhe më pas për të marrë masa në rast emergjence. Në këtë kuadër, MASR ka vënë në dispozicion dhe ka publikuar gjithashtu edhe edhe draft-udhëzimin mbi marrjen e masave të para mbrojtëse në rast emergjencash.
“Tre ditët e para le ta nisim me fleksibilitet mësimin dhe të mësojmë ndjesitë e nxënësve, në mënyrë që ta kalojmë këtë gjendje emocionale që la pas tërmeti i 26 Nëntorit dhe pas-tërmetet që vijuan. Çdo shkollë tashmë ka një plan të qartë dhe të detajuar për mbrojtjen ndaj dukurive natyrore siç është tërmeti, si dhe për daljen emergjente të të gjithë nxënësve dhe mësuesve nga godinat e shkollave. Çdo kat ka një koordinator përgjegjës për daljen emergjente”, u shpreh ministrja.
Shkollat janë inspektuar dhe po inspektohen sërish për shkak të pas-goditjeve të tërmetit, për të garantuar siguri të plotë dhe ambiente të ngrohta për nxënësit në mënyrë që të kemi sa më parë një rikthim të mirë të normalitetit.
Ndërsa për shkollat e dëmtuara ministrja tha se është gati plani për zhvendosjen e nxënësve të shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
Nxënësit e shkollës “Ramazan Subashi” do të ndjekin mësimin në shkollën e Marqinetit, që është afërsisht 5 km larg shkollës aktuale.
“Transporti i nxënësve është siguruar tashmë nga Zyra Vendore Arsimore Vorë dhe mësuesit do t’i shoqërojnë nxënësit nga Marikaj tek shkolla pritëse. Mësuesit e dy shkollave kanë dy ditë që përgatiten për rifillimin e mësimit, duke bërë planet e daljeve emergjente të sigurta në rast tërmeti dhe duke u përgatitur për pritje të ngrohtë të nxënësve”, shprehet ndër të tjera Shahini.
