Pasi mësuesit të njihen me të gjitha alternativat e teksteve për çdo lëndë mësimore do të vendosin për tekstin që është më i përshtatshmi për të punuar me nxënësit e secilës klasë. Përzgjedhja e alternativës së duhur për çdo lëndë duhet të bëhet me konsensus. Për rastet kur mësuesit e klasave, apo të ekipeve lëndore nuk do të bien dakord për të njëjtën alternativë, procedurat do të zhvillohen me anë të votimit. Kështu, fitues do të jetë teksti i cili do të marrë shumicën e votave në këtë proces. Autoritetet e MAS bëjnë me dije se në përzgjedhjen e teksteve shkollore do të ftohen që të marrin pjesë edhe prindërit. Këta të fundit do të vëzhgojnë procedurën që do të ndiqet nga mësuesit, por ata nuk do të mund të marrin pjesë në votim. “Në çdo rast mbledhja e mësuesve të klasave dhe ekipeve lëndore për përzgjedhjen e teksteve do të bëhet e hapur, jo vetëm për prindërit, por edhe për median”, detajohet në udhëzimin e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
Autoritetet e arsimit kanë vendosur edhe kritere të rrepta për të shmangur përzgjedhjet e teksteve në mënyrë abuzive. Në udhëzim kushtëzohet se tekstet shkollore që kanë autorë, redaktorë, korrektorë, ilustrues, etj, që janë mësues ose drejtues të shkollave, nuk mund të përzgjidhen në shkollat në të cilat ata punojnë. Gjatë procesit të përzgjedhjes së teksteve në shkolla nuk do të lejohet asnjë veprimtari e botuesve apo dristibutorëve që ka për qëllim publicitetin ndaj teksteve të tyre. Lista zyrtare e alternativave të teksteve nga të cilat mësuesit do të përzgjedhin variantin e duhur për çdo lëndë miratohet nga MAS në katalogun zyrtar që do tu shpërndahet të gjitha institucioneve shkollore të arsimit të detyruar 9-vjeçar dhe gjimnazeve në nisje të këtij procesi. Në përfundim, mësuesit e klasave dhe ata të ekipeve lëndore plotësojnë dhe nënshkruajnë procesverbalet e përzgjedhjes së teksteve. Në këto procesverbale pasqyrohet detyrimisht dhe saktë titulli/titujt e përzgjedhur, botuesi përkatës dhe sasia që do të porositet për shkollën.
Shpërndarja në shkolla
Drejtoria e shkollës, në javën e fundit të vitit shkollor publikon në vendin më të dukshëm për nxënësit dhe prindërit, listën e teksteve shkollore që do të përdorë shkolla vitin e ardhshëm shkollor, emrin e botuesit/distributorit dhe çmimin e shitjes me pakicë. Sipas rregullave të përcaktuara nga MAS, botuesit dhe distributorët përkatës janë përgjegjës për shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore. Ata duhet ta përfundojnë shpërndarjen dhe shitjen e teksteve shkollore detyrimisht një javë para fillimit të vitit shkollor. Botuesve që shesin tekste shkollore pa pullën me hologramë, apo me çmime të ndryshme nga ato të katalogut të teksteve shkollore të shpallura nga MAS-i, iu hiqen këto tekste nga katalogu i teksteve shkollore. Ndërkohë që shitja e teksteve shkollore do të bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave, nga subjekte të licencuara. Me kërkesën e botuesve apo distributorëve, drejtoritë e shkollave janë të detyruara të vënë në dispozicion falas një ose dy mjedise për shitjen e teksteve shkollore. Tekstet që shiten, duhet të kenë detyrimisht pullën me hologramën e MAS-it. Nuk do të lejohet në asnjë rast shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore nga punonjës arsimorë, me përjashtim të teksteve për nxënësit e pakicave kombëtare. Shpërndarja dhe shitja për këtë kategori nxënësish mund të bëhet nga punonjës arsimorë të ngarkuar nga zyra vendore e Arsimit parauniversitar dhe drejtoritë e shkollave përkatëse.
Organizimi i ciklit parauniversitar
Arsimi bazë i detyruar synon të zhvillojë aftësitë intelektuale, krijuese, praktike dhe fizike të nxënësve, të zhvillojë personalitetin e tyre dhe t’i pajisë ata me elementet themelore të kulturës së përgjithshme dhe edukatën qytetare. Ky cikël i detyruar fillon në moshën 6 vjeç dhe zgjat 9 vjet. Nxënësi është i detyruar të ndjekë arsimin bazë deri në moshën 16 vjeç. Arsimi bazë është i njësuar dhe institucionet e tij shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Shtetasit që mbushin moshën 16 vjeç, por që nuk arrijnë ta përfundojnë arsimin bazë, mund ta përfundojnë atë në shkollat me kohë të shkurtuar. Arsimi bazë përbëhet nga dy cikle: cikli fillor, (klasa I-V) dhe cikli i mesëm i ulët, (klasa VI-IX). Ndërsa arsimimi i nxënësve me aftësi të kufizuar bëhet në shkolla speciale, në klasa speciale brenda shkollave normale ose të integruar në klasa normale.
Nga ana tjetër ndjekja e arsimit të mesëm nuk është e detyrueshme. Arsimi i mesëm në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga gjimnazet (me kohë të plotë dhe të shkurtuar) si dhe nga shkollat e mesme profesionale. Gjimnazet publike me kohë të plotë japin një kulturë të përgjithshme që është zgjerim i njohurive e thellim i kulturës dhe njohurive të fituara në shkollat e arsimit bazë. Kohëzgjatja e gjimnazit është 3 vjet dhe përfundon me provimet e Maturës Shtetërore. Në planin mësimor janë përfshirë nëntë fusha si: Artet, Edukimi fizik dhe sportet,Gjuha e huaj (ose gjuhët e huaj), Gjuha shqipe dhe letërsia, Karriera dhe aftësimi për jetën, Matematika, Teknologjia & TIK, Shkencat natyrore dhe Shkencat shoqërore. Kurrikula e gjimnazit është e përbërë nga kurrikula bërthamë dhe kurrikula me zgjedhje.
Gjimnazet me kohë të shkurtuar, shërbejnë edhe për arsimimin e të rriturve. Kohëzgjatja e studimeve në gjimnazet me kohë të shkurtuar, është 4 vjet dhe ato përfundojnë me dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore (MSH). Plani mësimor dhe programet kurrikulare, miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Sportit.
Ndalimet
- Çdo punonjësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe të institucioneve të varësisë i ndalohet ndikimi në çfarëdolloj forme, në procesin e përzgjedhjes së teksteve shkollore.
- Tekstet shkollore që kanë autorë, redaktorë, korrektorë, ilustrues, etj, që janë mësues ose drejtues të shkollave, nuk mund të përzgjidhen në shkollat në të cilat ata punojnë.
- Titullari i zyrës vendore të arsimit parauniversitar, apo drejtorive rajonale, çdo punonjës i këtyre institucioneve dhe drejtuesit e shkollave e kanë të ndaluar të bëjnë presion të rekomandojnë apo të ndikojnë në çfarëdolloj forme apo mënyre te mësuesit në përzgjedhjen e teksteve shkollore. Atyre nuk u lejohet favorizimi i botuesve, apo i autorëve të veçantë, si dhe dallimi i teksteve të veçanta në raport me të tjerat. Në rast të verifikimit të shkeljeve të sipërpërmendura, personat përgjegjës penalizohen deri në largim nga detyra.
- Gjatë procesit të përzgjedhjes së teksteve në shkolla nuk lejohet asnjë veprimtari e botuesve/distributorëve, që ka për qëllim publicitetin e teksteve të tyre.