Një grua u vra dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur pas të shtënave me armë zjarr në lokalin e Fatjon Muratit në Don Bosko, më 12 mars.
Por si ndodhi Masakra e ‘Don Boskos’ e 12 marsit në kryeqytet?
Sipas dinamikës së ndërtuar nga emisioni ‘Në Shënjestër’, dhe krehjes që grupi hetues u bëri kamerave të sigurisë, atentatorët thuhet se morën fillimisht rrugën për në Tiranë nga Kashari drejt Kthesës së Kamzës.
Më pas siç vihet re edhe nga kamerat e sigurisë, makina e tyre u pa të kalojë nëpërmjet rreth-rrotullimit të Shqiponjës, për të hyrë në lagjen Laprakë. Vetëm disa minuta pasi kryen këtë itinerar, makina me tre persona në bord, shihet teksa kalon në rrugicën pranë Xhamisë dhe prej andej në rrugën ‘Anastas Shundi’.
Aty ku janë ndalur në cep të lokalit në pronësi vëllezërve Murati. Objektivi, ku edhe qëlluan me të gjithë forcën e tyre.
Por ajo që tregon më qartë momentin kur qitësit nxjerrin armët dhe shkrehin të gjithë brutalitetin e tyre ndaj lokalit dhe personave që ndodheshin në atë moment brenda tij, janë pamjet e një prej kamerave të sigurisë në zonë. Të cilat edhe pse larg tregojnë në një farë mënyre të gjithë dinamikën e sulmit ndaj lokalit në pronësi të Fation Muratit dhe familjes së tij.
Sipas mekanizmit të ndërtuar të ngjarjes, personat që qëllojnë janë dy të tillë. Të cilët pavarësisht se kanë fushëpamje të lirë, për të parë se kush ndodhen në lokal në atë moment dhe se midis tyre ndodhet edhe një vajzë vetëm 10 vjeçare, ata nuk kanë ngurruar të qëllojnë.
Duke lënë të vrarë Mimoza Pajën, e cila mbeti e vdekur në cep të banakut, gruan e cila kishte vetëm pak kohë që kishte nisur punë në këtë lokal. Por kjo nuk i pengoi vrasësit të qëllonin, dhe më ashpërsinë e tyre të veprimit t’i tregonin familjes Murati se ata ishin aty për t’i ndëshkuar me çdo mënyrë.
Sipas dëshmitarëve, për t’u siguruar që askush nuk po i ndiqte autorët, qëlluan edhe në ikje e sipër. Pasi kryen atentatin, automjeti me ekzekutorët në bord mori rrugën e kthimit nga Spitali i Traumës për të dalë më pas në autostradën Tiranë-Durrës për të marrë më pas drejtimin në të djathtë të mbikalimit të Vorës. Por ndërsa policia nuk mundi të pikaste lëvizjen e autorëve pas krimit, makina e tyre u gjet e djegur vetëm të nesërmen e ngjarjes.
“Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, grupi hetues ka gjetur ndër të tjera në cilësinë e provës materiale 16 gëzhoja model 54, kalibër 7.62 mm, të shpërndara në mënyrë të çrregullt në pjesën e jashtme të lokalit, pranë fasadës hyrëse të tij. Më datë 13 Mars 2023 është bërë rikqyrja e vendit të ngjarjes dhe janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 6 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Lidhur mbi ngjarjen personi i parë që u pyet nga grupi hetues, ishte Ervis Murati, vëllai i Fatjon Muratit, që kishte vetëm dy ditë që kishte mbërritur në Shqipëri. Ai ndodhej ne lokal natën e krimit, por për fat mundi të shpëtonte pa u lënduar. E siç pritej nuk i dha asnjë ndihmë hetuesve…”, thuhet gjithashtu në dosjen hetimore.
“Natën e ngjarjes në lokal kam qenë unë, xhaxhai im Shehat Murati, djali i hallës Emanuel Çala, si edhe një shok i imi i cili quhet Astrit Memaj, si dhe dy persona të tjerë banorë të lagjes, emrat e të cilëve nuk i mbaj mend. Po kështu në lokal ka qenë edhe mbesa e vogël e banakieres, Mimozës, që e kishte vajzën e vajzës.” ka thënë Ervis Murati.
Sipas vëllait të Fation Muratit, ai ishte duke parë ndeshjen kur ndjeu plumbat të vërshonin drejt tyre. Siç shikohet edhe nga dëshmia e tij, lokali përdorej kryesisht nga familja. Kjo duket se ishte ora kur familja Murati mblidhej në këtë lokal.
Ç’ka duket se vrasësit të kenë pasur një informacion të sigurt për praninë e tyre. Ky mund të ketë qenë edhe mendimi i tyre, për ti gjetur të gjithë bashkë dhe eliminuar njëherësh.
“Unë po qëndroja në këmbë duke parë ndeshjen pranë banakut. Xhaxhai im Shehati, ishte ulur në tavolinë në mes të lokalit me nipin e tij Manushin, përballë me televizorin. Ndërsa të tjerët ishin ulur në një tavolinë tjetër. Sapo filloi ndeshja dëgjova të shtëna të shumta zjarri, ku kërcitën xhamat dhe orenditë e tjera të lokalit, dhe predhat bënë flakë nëpër mure.”, tha Ervis Murati.
Nga dëshmia që Ervis Murati dha në polici, duket se tmerri që të pranishmit në lokal kanë përjetuar, të ketë qenë i pafundëm.
Pasi krismat kanë qenë aq të gjata, sa kanë qenë e vështirë për të kuptuar në ato moment se çfarë po ndodhte në të vërtetë.
“Në atë moment u dëgjuan shumë të shtëna. Aq sa në momentet e para nuk kam kuptuar se çfarë po ndodhte ndërsa më pas jam shtrirë përtokë dhe nuk kam parë asgjë se çfarë ka ndodhur. Në atë situatë, vëllai i objektivit të atentatit, thotë se e kishte të pamundur të shikonte se nga erdhën dhe ikën autorët. Ai thotë se në atë moment, ka mundur të shquajë pa jetë banakieren e lokalit. Të identifikuar si 58 vjeçarja, Mimoza Paja. E kam pasur të pamundur të shikoj se në çfarë drejtimi kanë ardhur autorët, si edhe nga janë larguar. Kur u ngrita në këmbë, pashë që Mimoza, ishte rrëzuar në tokë dhe aty kuptova që ajo kishte ndërruar jetë. Të tjerët pashë që kishin marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit”, ka thënë Ervis Murati.
Të parët që thuhet se u erdhën në ndihmë të plagosurve në këtë atentat, ishin banorë të pallatit ku ndodhej lokali.
Ata të cilët mundësuan dërgimin e tyre në Spitalin e Traumës.
Sipas grupit hetues midis personave të pyetur që mund të kishin dijeni për ngjarjen, ishte edhe Shehat Murati, xhaxhai i Fatjon Muratit.
“Gjatë ngjarjes unë kam qenë i ulur në lokal për të pirë kafe dhe për të parë ndeshjen. Në këtë moment unë dëgjova krisma dhe më pas ndjeva një goditje të lehtë në kokë dhe pashë që më rridhte gjak nga aty dhe në shpatull. Pasi mbaruan krismat një person i pa njohur më mori dhe më çoi në spitalin e Traumës në Tiranë. Në lidhje me personat që qëlluan unë nuk munda ti shikoj dhe deklaroj se nuk kam konflikte me ndonjë person.”, ka thënë Shehat Murati.
Por ndërsa familja Murati tha në deklarimet e saj, se nuk kishte konflikte me persona të jashtëm, grupi hetues ka dyshimet e veta se ngjarja lidhet me përplasjet që Fatjon Murati ka me grupe kriminale që qarkullojnë në veriun e Shqipërisë.
Si edhe me ngjarje të rënda të ndodhura në kryeqytet dhe fare pranë tij. Duke iu referuar kështu edhe masakrës së Fushë-Krujës, ku më 17 korrik 2022, humbën jetën në atentat, Brilant Martinaj, dhe dy shoqëruesit e tij në makinë, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.
Të fundit
Postime te ngjashme
Shto koment