Në Kuvend është depozituar një nismë e re e cila synon që të ulë përfitimet për zyrtarët, gjyqtarët, si dhe për punonjësit e administratës publike. Propozimi në Kuvend është paraqitur nga deputeti Erion Piciri i cili kërkon ulje e pensioneve suplementare për pushtetarët, magjistratët, për drejtuesit dhe punonjësit e administratës publike në nivel qendror dhe lokal si dhe eliminimin e pagës kalimtare deri 3-vjeçare që përfitohet pas lënies së detyrës nga pushtetarët dhe barazimin e tyre me të gjithë punonjësit e tjerë të shtetit sipas parashikimieve të Kodit të Punës.
Deputeti Piciri thekson se pensioni suplementar i ish-pushtetarëve shkon në rastet më të pakta sa rroga mesatare dhe në rastet më të skajshme sa trefishi i rrogës mesatare. “Të marrësh pension special shumë herë më shumë se ata që punojnë është jo e arsyeshme dhe barrë e rëndë në kurriz të shoqërisë. Një vend që shpërdoron të ardhurat e veta dhe i investon në drejtimin e gabuar, cënon besimin e qytetarëve tek shteti, ul standardet dhe produktivitetin, largon njerëzit e zot”, shprehet Piciri.
Kush preket
Deputeti Piciri argumenton se prej 25 vitesh janë me dhjetëra mijëra përfitues të pensionit suplementar çka është një barrë e rëndë mbi buxhetin e shtetit dhe shoqërinë shqiptare. Miratimi i këtij propozimi do të prekte direkt Presidentin, Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin, zv. kryeministrit, ministrat, anëtarët e Kushtetueses, Kryetarin e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm. dhe Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, deputetët e Kuvendit, anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, si dhe Avokatin e Popullit, Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive, sekretarët e Shtetit, zëvendesministrat, zëvendësprokurorët e Përgjithshëm, si dhe personat e tjerë të barazuar me ta, sekretarët e përgjithshëm dhe funksionarët politikë pranë Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, ministrive, institucioneve qendrore buxhetore, prefekturave, këshillave të rretheve, këshillave të qarqeve, bashkive dhe personave të tjerë të barazuar me ta, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe Kryetari i Arbitrazhit të Lartë Shtetëror, personat që kryejnë detyra në administratën e Presidentit, të Kuvendit, Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore buxhetore, të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, gjykatave të apelit, prokurorive të rretheve, prefekturave dhe të pushtetit vendor dhe personave të tjerë të barazuar me ta, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave, personeli drejtues ku do të përfshihen: drejtorët e drejtorive, përgjegjësit e sektorëve, si dhe personat e tjerë të barazuar me ta, në funksion, personat të cilët punojnë në organet drejtuese të pushtetit vendor dhe në funksione të tjera drejtuese, sipas listës së miratuar nga Këshilli i Ministrave, personeli specialist ku do të përfshihen specialistët dhe personat e tjerë të barazuar me ta në funksion, sipas përcaktimeve të Këshillit të Ministrave”.
Privilegji i deputetit
Le të japim një shembull për të parë abuzimin, tek raporti kontribute/përfitim tek pensioni suplementar i deputetit. Një deputeti të Kuvendit të Shqiperisë i mbahen për pensionin suplementar, 4% të shumës bruto të listëpagesave, apo 80 mijë lekë të vjetra në muaj dhe për një mandat 4 vjeçar, derdh tek ky fond 3,84 milion lekë të vjetra. Sipas ligjit në fuqi ish-deputeti me një. mandat 4 vjeçar, përfiton një pension suplementar mujor sa 30% e pagës mujore të deputetit në funksion, domethënë 471 mijë lekë të vjetra në muaj apo 5.65 milion të vjetra në vit. Nëse i referohemi shifrave të jetëgjatësisë tek qytetarët e Republikës së Shqipërisë, që sot janë në një mesatare gjinore 78.5 vjeç dhe pritet të shkojnë në 2030-ën (sipas INSTAT-it) në 82 vjeç dhe duke pasur parasysh një moshë mesatare të daljes në pension prej 63 vjeçësh, i bie që një ish-deputet të përfitojë afro 17 vite pension suplementar. Kjo do i korrespondonte një përfitimi prej afro 97.5 milion lekësh të vjetra, apo mbi 25 herë më shumë se sa derdh tek fondi i pensionit suplementar. Rasti i deputetëve është i ngjashëm edhe me kategoritë e tjera të përfituesve.
