Do ta kishit menduar ndonjëherë që oktapodi do të shkonte kaq mirë me patëllxhanin? E po besojeni pra!Dhe për të gjithë ju adhuruesit e këtij “shumëkëmbëshi”, kjo do të bëhet receta juaj e preferuar. Shtimi i kaperit nën uthull në përfundim të pjekjes do i japin kësaj pjate freskinë. Mua kjo pjatë më kujton shumë ditët e verës, drekat e vona dhe shijen e vendeve bregdetare.
Përbërësit për 4 persona: 1 oktapod 500-700 g,3-4 patate të mëdha, një dorë domate qershi,2-3 patëllxhanë,2 lugë gjelle kaperi, 2 gjethe dafine, disa degë trumze (në mungesë përdorni rigon, një tufë e vogël majdanoz, kripë, piper i keq pluhur, 2-3 lugë vaj ulliri dhe 2 thelpinj hudhra.
Përgatitja: Pastroni oktapodin nga koka, fërkojani mirë trupin me kripë të trashë duke u munduar t’ia hiqni dhe lëkurën nëse mundeni. Vendoseni të ziejë në ujë me kripë për 30-40 minuta derisa kur e shponi me pirun të jetë i butë. Lëreni të ftohet plotësisht në ujin e zierjes. Më pas priteni në copa të mëdha dhe ruajeni mënjanë. Qërojini patatet dhe pritini dhe ato në copa të mëdha. Vendosini të ziejnë për 15 minuta në ujë me kripë. Kur te jenë gati kullojini. Bashkojini patatet me oktapodin, ku do të shtoni akoma pak kripë, piper të zi, vajin gjethe trumze, piperin e kuq, hudhrat e shtypura dhe përziejini.
Vendosini në një tavë të thellë dhe sipër shtoni edhe domatet e prera në mes, gjethet e dafinës dhe 1 filxhan kafe me ujë. Vendoseni tavën të piqet në 200°C për 25-30 minuta ose kur shikoni që patatet janë thekur mirë. Ndërkohë pritni patëllxhanët në kubikë dhe skuqini me pak vaj ulliri.
Hiqini dhe thithni vajin e tepërt me letër kuzhine. Më pas shtoni kripë . Kur tava të jetë gati bashkoni edhe patëllxhanët e skuqur me të, kaperin, disa gjethe trumze të njomë dhe majdanozin e grirë. Jepini një të përzier dhe shërbejeni.