Japrak me gjethe rrushi është një pjate shumë e shijshme dhe ideale për këtë periudhë të vitit. Japrakët mund ti gatuajmë edhe me gjethe lakrash të ndryshme, por shija e tyre e veçantë është të gatuhen me gjethet e njoma të hardhisë së rrushit.
Përbërësit për Japrak me gjethe rrushi
40-50 fletë gjethe rrushi
200 gr oriz
400 ml ujë
350 gr qepë të njoma
4 lugë gjelle vaj ulliri
pak spinaq ose lakra të ndryshme jeshile
pak majdanoz
pak kopër
mëndrëz (nenexhik)
kripë
piper
Përgatitja e recetës për Japrak
Stina me e përshtatshme pre te përgatitur japrak është pranvera, pasi gjethet e hardhive të rrushit janë të njoma. Duhet të sigurohemi të mbledhim një sasi të konsiderueshme pa dëmtuar dhe bimën. Gjethet i lajmë dhe i hedhim në ujë të valuar për pak minuta dhe pastaj i kullojmë dhe i lëmë mënjanë.
Përgatisim mbushjen për Japrak
Grijmë qepët dhe i kaurdisim për tre-katër minuta në tigan, shtohet orizi, vazhdon kaurdisja edhe pak, shtohen të gjitha jeshillëqet, erëzat e grira hollë dhe përzihen mirë. Shtojmë edhe kripën dhe i trazojmë.
Hapen gjethet e rrushit dhe hidhen në to nga një gjysmë luge mbushje në çdo gjethe. Kujtojmë që pjesa e ashpër e gjetes duhet të ngelet brenda japrakut. Mbështillet mbushja me gjethet dhe vendosen me kujdes me radhë në tenxhere. Sipër mbushjeve vendoset një pjatë që mbushjet të mos lëvizin gjatë zierjes. Më pas hedhim mbi to ujë të nxehtë deri sa ti mbulojmë.
E vendosim tenxheren të ziejë për 20 – 30 minuta në zjarr të ngadalshëm. Pasi janë zier i heqim nga tenxherja me kujdes dhe i vendosim në pjatë.
