Dy vëllezër humbën jetën ditën e djeshme teksa u gjetën të pajetë brenda makinës së tyre. Policia ka nisur hetimet ndërkohë që ka shoqëruar 40 persona dhe ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë.
Nga kqyrja e kamerave duket se makina e atentatorëve është një “Toyota” ngjyrë gri me xhama të zinj ndërsa ende nuk dihet gjë për autorët e ngjarjes së rëndë.
Dy vëllezërit me origjinë nga Puka, Besmir Haxhia, 36 vjeç dhe Viktor Haxhia, 27 vjeç prej kohësh jetonin në lagjen nr. 7 në Spitallë të Durrësit ku dhe kishin disa biznese. Bëhet fjalë për një lavazh, një Exchange dhe një kompani “BVAUTO”, me shërbim karrotreci dhe dhënie me qira të automjeteve. Të gjitha këto biznese, rezultojnë në emër të 27-vjeçarit Viktor Haxhia. Ky i fundit rezulton të jetë diplomuar një vit më parë për avokat, ndërsa ishte anëtar i Dhomës së Avokatisë në Durrës. 27- vjeçari nuk rezulton të ketë ndonjë të shkuar kriminale, çka mund të sillte edhe ngjarjen e djeshme.
Ndërsa Besmir Haxhia njihej në zonë me nofkën Mori i Kolës dhe sipas policisë ka qenë pesron me precedentë të mëparshëm kriminalë jashtë vendit. Bëhet fjalë për trafik të lëndëve narkotike, ndërsa ka kryer dënimin e tij vite më parë. Pas kësaj, është rikthyer për të punuar në bizneset e familjes së tij. Nga hetimet paraprake të kryera për këtë ngjarje, Policia dyshon se ekzekutimi i dy vëllezërve të ketë ndodhur si pasojë e të kaluarës së njërit prej tyre.
Në pyetje janë marrë familjarë të tyre lidhur me ndonjë konflikt të mundshëm si dhe banorët e zonës pasi kanë qenë të parët që janë gjendur aty, pasi dy vëllezërit janë qëlluar me breshëri armësh.
