Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka treguar eksperiencën e tij me Covid-19. Përmes një prononcimi për News 24, Veliaj tregon se ditët e para është ndjerë shumë keq, pa energji për të bërë asgjë dhe se ndihej sikur e kishte shtypur treni.
“Askush nuk mund t’i fusë një mendje të lehtë, për festa në Jalë, sepse nuk i dihet nëse do kthehesh shëndoshë e mirë tek një gjyshe apo tek një prind që ke aty. Unë vetë u preka dhe u prekëm të gjithë si familje, por kujdesi duhet. Në punë jam kujdesur shumë. Dy ditët e para rashë shakull dhe më dukej sikur më kishte shtypur një tren. Nuk kisha energji. Ndërkohë, ata që vuajnë nga sëmundje të tjera, mund të pësojnë dëme më të mëdha. Kujdes dhe vetëm kujdes, ky është apeli im. Unë besoj se kontrolli me mjekun e familjes që kam bërë….ka një sistem shëndetësor publik që funksionon perfekt. S’kam marrë asnjë ilaç nga asnjë spital privat, vetëm ato që më janë rekomanduar e dhënë nga spitali shtetëror. Kam marrë holluesin e gjakut, anti-inflamatorin dhe një anti-biotik për rastin tim duhej më i lehtë për shkak të problemeve që kam patur me mëlçinë. Vetëm me tre medikamente jam kuruar. Mjekët tanë jo vetëm që janë të aftë, por janë super alert dhe super të afërt. Kanë një diapazon informacioni të krijuar në këto muaj që ndoshta shumë të tjerë nuk e kanë. Besojuni mjekëve dhe bluzave të bardha. Punë si puna ime janë që sado kujdesesh nuk i frenon dot. Pranoj, nuk kam qenë pacienti prefekt, nuk e mora nga puna por nga familjarë që ishin infektuar pasi morën pjesë në aktivitete të caktuara”,– tha Veliaj ndër të tjera.
