Mes dhimbjes Ajola Xoxa ka gjetur forcën të shkruaj disa radhë për të atin, Arbenin, djalin e të madhit Jakov Xoxa, i cili u nda nga jeta pasi humbi betejën e rëndë me kancerin.
Ajola, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në rrjetin social Facebook kujton momentet e fundit të të atit dhe dashurinë e tij të madhe, duke e quajtur shokun dhe mësuesin e jetës.
Arben Xoxa u nda nga jeta pas një beteje me sëmundjen e rëndë të kancerit. U shua në krahët e bashkëshortes së tij, Valbona dhe vajzës, Ajola.
Statusi i Ajolës
I dashur babi im aq i shtrenjtë,
të humbëm pas një lufte të vështirë e plot dhimbje me një monstër siç është kanceri. Unë dhe mami të mbajtëm në krahët tona deri në frymëmarrjen e fundit; deri në rrahjen e fundit të zemrës tënde plot dritë, ta mbajta dorën aty përmbi kraharor. Kam një dhimbje therrëse sikur shpirti të më jetë çarë në dysh.
Shpirti i yt i mrekullushëm iku në paqe, i mbuluar në të bardhë siç edhe jetove, i ndriçuar nga drita e gjithë mirësisë dhe dashurisë që pate në zemër dhe mençurisë që pate në mendje nga fillimi i jetës e deri në fund.
Gjatë gjithë jetës tënde i dhe veç bardhësi e dritë kujtdo pate pranë, ndihmove këdo munde, sa herë munde, edhe kur mundësitë i kishim të vogla, ti gjithmonë deshe t’i ndihmoje ata që kishin nevojë. Nuk pate kurrë, kurrë urrejtje në shpirtin tënd, vetëm dashuri. Edhe me ata që deshën të të bëjnë keq, ti kishe forcën të ishe i butë, i mirë, gjithmonë i buzëqeshur.
Edhe fjala e fundit që the në këtë jetë ishte “Zemër”, kaq shumë ndriçonte shpirti yt i bardhë.
Ti ishe një baba dhe një bashkëshort i mrekullueshëm! Unë dhe mami patëm kaq shumë fat që të patëm ty si udhërrëfyes! Dhe kjo është ndoshta arritja më e madhe që mund të ketë një njeri në jetë babi im i mirë: ti e shtrëngove fort familjen tonë dhe bëre që ajo të ishte më e qeta dhe më e lumtura në botë. Gjithmonë thonim: a ka vallë të tjerë si ne të tre?
Ishe njeriu më inteligjent që njoha ndonjëherë, i etur për dije deri në fund. Ishe njeriu me shpirt më të pastër që njoha ndonjëherë, më i sinqerti që njoha ndonjëherë, më fisniku që njoha ndonjëherë, me buzëqeshjen më të ëmbël që kam parë ndonjëherë.
Ti ishe dashuria ime e madhe, heroi im, shkëmbi im i sigurt, mësuesi im, shoku im më i mirë!
Të dua shumë baba! Me të gjithë forcën e dashurisë që ndonjëherë ka ndier njeriu për njeriun!
Të dua përgjithmonë!