Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë me anë të një letre të hapur drejtuar qeverisë ka kërkuar që dhe uniformat blu të jenë pjesë e atyr që ndihmohen gjatë periudhës së pandemisë së COVID-19. Valentin Macaj, kreu i kësaj sindikate shkruan se Policët janë çdo ditë përball rrezikut të infektimit me COVID, por edhe pse po kalon muaji sërish ata nuk kanë marrë as duartrokitje dhe as shpërblime.
Sipas tij qeveria duhet të mendojë seriozisht e të shpërblejë mundin e mijëra punonjësve të policisë në rend e burgje. “Një shpërblim sa 50% e pagës neto mujore nuk cënon aspak buxhetin e shtetit, pasi është një e drejtë e mohuar prej 30 vitesh në pagën e 13-të, të cilën e garanton Kodi i Punës në fuqi. Ndërsa qytetarët, ashtu siq brohoritën bluzat e bardha të mjekësisë, duhet të bëjnë një gjest të tillë falenderues edhe për këmishat blu të ligjit, të cilët po sakrifikojnë për sigurinë e tyre!”, shton ai.
LETRA E PLOTË
As shpërblim e as duartrokitje për këmishat blu…?! Po mbushet 1-muaj, qëkur pandemia covid-19 i mbylli shqiptarët nën regjimin “arrest shpie” pa dhunë, por me kërcënimin e shtërngesës normative të qeverisë , e cila shikon zgjidhjen e problemit tek karantinimi social . Kërcënimi global covid-19 ka nxjerrë zbuluar gjithë sistemin botëror të shëndetësisë ,pasi i gjeti “gafil” e i ka turbulluar mendërisht nëpër protokolle që i ndërrojnë 3-4 herë në ditë, si dhe atë batalion shkencëtarësh që për vite të tëra na ngopën me formula abstrakte , dështuan me sukses përballë kësaj pandemie! -Me qindra shtetas shqiptarë janë infektuar nga ky virus e numri i viktimave është 2-shifror, ku nuk kanë shpëtuar as ata “ëngjëjt” mbrojtës të mjekësisë. Cdo gjë është në ankth e pasiguri, pasi ky virus është tinëzar dhe vrasës aty ku nuk e pret dhe që nuk kursen as foshnjat në djep…!
Shërbimet e urgjencës mjekësore po mundohen të kryejnë me devotshmëri detyrën e tyre funksionale në shërbim të qytetarëve edhe pse duhet të sjellim në vëmendje se një pjesë e madhe e tyre është kualifikuar nëpër “kurse plepash” e universitete private kundrejt shumave finanziare për të marrë “kartonin” e profesionit. Për këtë fakt duhet të jemi të qartë si “kristali”, sepse nuk jemi “ufo” që s’kuptojmë realitetin e dhimbshëm arsimor në mjekësinë shqiptare..!-Pra, ky ishte njëri nga “produktet” e politikës mafioze shqiptare, që për një grusht votash, nuk pyeti se cfarë “brumi” po i dhuron mjekësisë varfanjake në këta 20 vite pas ’97…! -Nejse, këtë fakt le ta lëmë mënjanë për një kohë tjetër më të paqtë, pasi situata është me të vërtetë e rëndë dhe po vë në rrezik të ardhmen social-ekonomike të kombeve të vogla, ku llogaria nuk bëhet me mijë-€/person por për kushte mbijetese, që nuk ka cfarë i “han miu pas darke” shumicës së shqiptarëve..!
Pa dashur që ti marrim hakun askujt, duhet thënë se Infektivi i Tiranës, Sanatoriumi, Urgjencat e rretheve bashkë me stafet respektive mjekësore, janë “Heronjtë e Ditës” për qytetarët e ngujuar para TV e portaleve të lajmeve, biles kemi përshëndetur e mbështetur iniciativat për ti duartrokitur nëpër ballkone, e mirë kemi bërë….sepse duhet kurajo për të dhënë më të mirën e tyre në këtë situatë emergjence. Kemi duartrokitur të gjithë,pa hile e si në karantinë! Në cdo lajm e në cdo emision nëpër TV kryesore të vendit,kemi dëgjuar e parë mjekë dhe specialistë, ku që të gjithë japin mendimet e tyre,që në disa raste nuk përputhen , por jemi munduar të marrim për bazë ato më profesionalet e pa ngjyrime partiake.
Nga fusha ligjore në fuqi si dhe Kodi i Punës, dijmë që pjesë thelbësore e shërbimeve të rëndësisë jetike, janë edhe punonjësit e policisë në rend e burgje, të cilët për asnjë cast nuk kanë lënë shërbimin, i cili është i ndërtuar në 3-turne me nga 8-orë pune, që në këtë situatë shkon nga 12-24 orë shërbim e gadishmëri bashkë, pa vakt ushqimor e pa ambjente pushimi. Pra, krahas mjekësisë që është e mbërthyer nëpër spitale e ambulanca, paskemi edhe mijëra bijë e bija nënash që nën uniformë policie, janë përballë e në kontakt me virusin në cdo moment e pa masa mbrojtëse sipas standarteve të O.B.SH. Janë shërbime të instaluara kudo, si në tregje, kryqëzime,rrugica, autostrada, dogana, porte, aeroporte, spitale, burgje e ambjente publike. Janë me mijëra punonjës policie që shërbejnë në 24 burgjet e vendit, ku në shumicën e rasteve janë larg qendrave urbane e deri 130 km larg banesës së punonjësit. Imagjino, që një gardian nga rrethe të largëta, shërben me 3 turne në burgun e Recit, në një kohë kur transporti publik është kufizuar në fashën orare 05-13 dhe asnjë mjet privat nuk denjon të frenoje e ta marrë atë për në destinacionin e kërkuar, pasi e shikon atë si një “bombë virusale” lëvizëse..!-
Paga mesatare e një punonjësi policie nuk i kalon 45000 lekë të reja në muaj, duke kujtuar se oret e natës, gadishmeritë, ditët e festave dhe gjëndjet e jashtëzakonshme i marrin pas 2 muajsh ose në shumicën e rasteve nuk i marrin fare. Familjet e punonjësit të policisë , që në shumë raste janë të pastreha e të papunë, jetojnë cdo muaj e paguajnë faturat vetëm duke u bazuar në pagën e tij! Por sot, gjithë këmishat blu të ligjit, janë në krye të detyrës dhe në shërbim të sigurisë së shtetit pa asnjë mungesë e pa frikë ndaj covid-19, ndërkohë kur shumica e shefave të tyre dhe politikanëve shqiptarë, janë brenda banesave të tyre ose pas xhamave të zinj të makinave , që nuk u dhemb koka për shportën e familjes, pasi janë të garantuar nga taksat e qytetarëve dhe të siguruar nga shërbimi i punonjësve të policisë..! Ndaj, qeveria duhet të mendojë seriozisht e të shpërbleje mundin e mijëra punonjësve të policisë në rend e burgje, sepse suksesi në keto ditë varet nga Mjekësia dhe Policia e jo nga shpenzimi i tepërt në karburant prej blindave ushtarake, që më shumë tramaksin femijët e ngujuar , sesa disiplinojnë 5%-shin e qytetarëve abuzues me oraret. Një shpërblim sa 50% e pagës neto mujore nuk cënon aspak buxhetin e shtetit, pasi është një e drejtë e mohuar prej 30 vitesh në pagën e 13-të, të cilën e garanton Kodi i Punës në fuqi. Ndërsa qytetarët, ashtu siq brohoritën bluzat e bardha të mjekësisë, duhet të bëjnë një gjest të tillë falenderues edhe për këmishat blu të ligjit, të cilët po sakrifikojnë për sigurinë e tyre!
Policia e Shtetit prej nisjes së situatës së COVID-19 ka shtuar kontrollet në rrugë dhe efektivët janë rrezik për t’u infektuar nga virusi. Uniformat blu ndodhet në terren 24 orë në ditë për të disiplinuar qytetarët që thyejnë rregullat e karantinës.
