Izraeli ka kryer sulm ajror ndaj aeroportit të Alepos më 22 mars, duke shkaktuar dëme, tha Ministria e Mbrojtjes siriane. Autoritetet siriane nuk njoftuan për viktima. Ky është sulmi i dytë i këtij lloji ndaj këtij aeroporti gjatë këtij muaji.
Aeroporti në Alepo, që është qyteti i dytë më i madh në Siri, ka qenë një kanal kryesor për dërgimin e ndihmave që nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit që goditën Turqinë dhe Sirinë.
“Rreth orës 03:55, sipas kohës lokale, Izraeli armik kreu një sulm ajror, duke shënjestruar aeroportin ndërkombëtar të Alepos e duke shkaktuar disa dëme materiale”, u tha në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Sirisë.“Disa raketa” u lëshuan nga Mesdheu, pranë brigjeve të qytetit Latakia, shtoi ministria.
Zyrtari i Ministrisë së Transportit, Suleiman Khalil, i tha AFP-së se autoritetet janë duke vlerësuar dëmet. Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut tha se sulmet shënjestruan “ndërtesën e aeroportit dhe një depo të armëve që i përket forcave pro-iraniane që gjendet në perimetrin e aeroportit”. Ky grup monitorues tha se depoja e armëve “është shkatërruar plotësisht”.