Ministria e Arsimit ka shtyrë datën e zgjedhjeve në universitet pas përplasjeve të krijuara. Sipas një urdhri të ministres Shahini procesi përgatitor do të vazhdojë në mënyrë që të jenë gati kur të nisë fushata zgjedhore menjëherë pas shpalljes së datës.
NJOFTIM PËR MEDIA
Ministrja Shahini publikon urdhrin: “Data e zgjedhjeve në universitete shtyhet deri në një moment të dytë”
Qëllimi, sigurimi i një pjesëmarrjeje më gjithëpërfshirëse e studentëve.
#
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini ka dhënë një lajm të rëndësishëm mbi datën e zgjedhjeve për organet drejtuese të institucioneve të arsimit të lartë (IAL).
Ajo shprehet se: “Data e zgjedhjeve për organet drejtuese të IAL-ve shtyhet deri në një moment të dytë kur mund të sigurohet pjesëmarrje më gjithëpërfshirëse e studentëve”, ndërsa thekson se “Procesi përgatitor i zgjedhjeve duhet të vazhdojë në mënyrë që IAL-të të jenë gati të fillojnë fushatën zgjedhore menjëherë pas shpalljes së datës”.
“Shpresoj që ky urdhër të mundësojë kthimin e vëmendjes së udhëheqësve të arsimit të lartë publik tek planifikimi i mbylljes së suksesshme të vitit akademik për studentët. #PaktiPërUniversitetin”, – mbyll njoftimin e saj Znj. Shahini.
