Presidenti Macron do të shtyjë të hënën mbërritjen e tij në Tiranë, për pjesëmarrje në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë. Mediat franceze bëjnë me dije se shkak është bërë situata pas një sulmi terrorist në Arras (Veri), ku mbeti i vrarë një mësues dhe u plagosën dy të tjerë.
Presidenti francez pritej fillimisht në Shqipëri të hënën në mëngjes për të marrë pjesë në samitin e 9-të të procesit të Berlinit, i cili mbledh së bashku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve evropiane për të promovuar dialogun politik, bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon, si dhe afrimit me Bashkimin Evropian.
“Në funksion të kontekstit kombëtar dhe ndërkombëtar”, ai do të mbërrijë pasditen e së hënës në kryeqytetin shqiptar, për pjesën dypalëshe të vizitës së tij që do të zhvillohet deri të martën”, sqaroi presidenca franceze.
Situata në Lindjen e Mesme është gjithashtu në qendër të shqetësimeve të qeverisë, ndërsa Izraeli vazhdon përgatitjet e tij për një ofensivë tokësore në veri të Rripit të Gazës në përgjigje të sulmit të paprecedentë terrorist të nisur më 7 tetor nga Hamasi kundër shtetit hebre.
