Ende Shqipëria mbetet një vend ku jo vetëm zyrtarë apo shtetas të Greqisë flasin hapur për Vorio-Epirin, por edhe mjaft klerikë bëjnë politikën e fqinjit tonë në jug. Në 21 shtator 2019, Mitropoliti i Kosturit, hirësi Serafim Papakostas, vizitoi Korçën, Voskopojën dhe Vithkuqin, me një grup klerikësh dhe besimtarësh grekë, duke bashkëmeshuar edhe me Mitropolitin e Korçës, hirësi Joanin (Fatmir Pelushi).
Ndërsa Mitropolia e Korçës u përpoq të manipulojë opinionin shqiptar, se këto aktivitete kishin karakter fetar dhe frymë kishtare, Mitropolia e Kosturit lëshoi një deklaratë të përkundërt, duke shpalosur me sinqeritet dëshirat kulturore dhe synimet kombëtariste të kësaj vizite.
Nga njoftimi thuhet në faqen e Mitropolisë së Kosturit (22 shtator 2019), siç përcillet në fund të këtij postimi,
1. “Duhet të theksohet se kufijtë e krahinës së Kosturit shtriheshin deri në territorin e Mitropolisë së sotme të Korçës së Vorio Epirit”.
2. “Për më tepër, kishat e pikturuara të rajonit dëshmojnë mbishkrime greke gjithandej, ashtu si dhe shkrimet e ikonave dhe të afreskëve, të cilat i emërtojnë shenjtorët greqisht”!
3. “Elementi grek ishte më se i dukshëm në gjithë Vithkuqin…”.
4. “Madje nga fshati i Vithkuqit kishte prejardhjen edhe Shën Nikodhimi i Beratit, i cili u martirizua në Berat dhe nderohet në Mitropolinë e Kosturit”.
5. “Brenda kësaj atmosfere tepër të ngarkuar (?I), u krye Mesha Hyjnore…”
6. “Në vijim (grekët) “u nisën për të drekuar drejt Voskopojës së bukur, ku edhe këtu aroma greke ishte e fortë”.
7. Udhëtarët u larguan “të prekur nga prania më se e dukshme e elementit grek në ato zona”.
Emërshkrimet greqisht në të kaluarën e errët nuk mund të përbëjnë dëshmi identitare greke në Shqipëri, aq më tepër kur greqishtja ishte e detyrueshme nën forcën e ligjit: kisha (greke) dhe shteti (turk) nuk lejonin përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.
Mitropolia greke e shtetit fqinj ka bërë të njëjtat deklarata edhe në të kaluarën, sidomos gjatë dy viteve të fundit, duke marrë shkas nga shkëmbimi i vizitave midis dy mitropolitëve, përkatësisht të Korçës dhe Kosturit.













