Kanë shpërthyer në revoltë bashkëshortet e komisonerëve të ndjerëve, Kasem Lala dhe Besim Bregu.
Personat në fjalë janë 2 nga 21 komisionerët për të cilët u lëshua urdhër arresti, nga SPAK në lidhje me dosjen ‘339’, e cila ka të bëjë me vjedhjen e votave në Durrës dhe laboratorin e kokainës në Has.
Mësohet se 2 nga 21 komisionerët për të cilët u lëshua urdhër arresti, kanë ndërruar jetë 2 vite më parë.
Lidhur me këtë skandal kanë folur bashkëshortet e të ndjerëve. Bashkëshortja e Besmirit, Nafie Bregu ka thënë se është shokuar kur ka parë emrin e të shoqit në lajme. Ndër të tjera ajo është shprehur se bashkëshorti i saj ka vdekur më 28 dhjetor të vitit 2018 dhe që është bërë çregjistrimi i tij sipas ligjit.
“Pas vdekjes e kemi çregjistruar sipas ligjit. Nuk e kuptoj pse thonë që nuk është çregjistruar. Bashkëshorti im ka vdekur më 28 dhjetor të vitit 2018. Jemi rebeluar si familje kur pamë emrin e tij në lajme. Bashkëshorti im nuk ka lidhje me ‘dosjen 339’”, tha ajo.
Sakaq, për ‘news24’, ka folur edhe bashkëshortja e Kasemit, Mimoza Lala. Ajo është shprehur se bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë në tetor të 2018 dhe se e kanë çregjistruar pas vdekjes.
“Bashkëshorti im ka vdekur në tetor të 2018. U lëndova shumë kur pash emrin e burrit në televizor. E kam çregjistruar bashkëshortin pas vdekjes,” është shprehur ajo.
