Një 32-vjeçar me detyrë punonjës i policisë së Laçit është arrestuar nga SHÇBA pas një hetimi të nisur një vit më parë nga shteti gjerman për vjedhje banesash.
Sipas burimeve zyrtare E. I shiste sendet e bizhuteritë që vëllai i tij në Gjermani vidhte në këto banesa. Hetimet kishin nisur nga policia e Hamburgut, e cila i kishte dërguar informacion policisë shqiptare për hetimet për pastrim të produkteve të veprës penale në Shqipëri, pasi sendet vinin këtu.
Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë.
Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg.
Ekspertë të Policisë së Hamburgut ishin në Tiranë si pjesë e kryerjes së veprimeve operacionale në terren, së bashku me SHÇBA dhe drejtuesit e Prokurorisë në Laç.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje guzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje. Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.
Në Landin e Hamburgut u arrestua një grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve, 3 prej autorëve janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.
