Lule Doçi është 56 vjeçe dhe vjen nga Burreli. Emri i saj nuk është një emër i panjohur, pasi historia e saj tronditi mbarë opinionin publik disa vite më parë, kur ajo vrau bashkëshortin. Ishte viti 2011, kur la fëmijët e saj dhe u dorëzua në polici dhe rrëfeu krimin që kishte kryer.

Ky ishte çasti kur jeta e gjithë familjes ndryshoi rrënjësisht. Pas torturave çnjerëzore e dhunës barbare, 4 vitet e ardhshme i kaloi në izolim. Në 21 janar 2016 fitoi lirinë.

Lule thotë në emisionin “Me Zemër të Hapur”,  se ky ishte një çast me shumë emocione, por ajo që i jepte më shumë forcë ishte fakti që do të mblidhte bashkë gjithë fëmijët e do të bëhej mbështetje për ta. Që nga ai moment e deri më sot jetojnë në një banesë, e cila nuk plotëson asnjë kusht për t’u quajtur e tillë. Ka trokitur në çdo derë, por askush nuk e ka ndihmuar, sot ajo bën një thirrje ndaj të gjitha institucioneve që pas shumë premtimeve e lanë në harresë.

Rrëfimi i plotë:
Lule Doçi: Uroj gjithë grave shqiptare që mos t’ju ndodhë siç më ndodhi mua. Unë jam parë rastësisht me ish-burrin tim dhe më propozoi për martesë. Gabimi im i madh ishte se pranova, më pëlqeu. Ika nga shtëpia dhe u martova me të. Kaluam gjashtë muaj bashkë dhe më pas filluan grindjet. Kisha gënjyer vetën me atë martesë që bëra. Dita ditës kuptova që jeta ime kishte marrë drejtim të gabuar.

Pas gjashtë muajsh vinte dorë mbi mua. Vetëm qaja. Vjehrra më ka mbështetur. Punonim në kooperative dhe kishim ekonomi të dobët. Ai donte duhan dhe përplasej me mua. Në 85-ën lindi fëmija i parë. E kam ushqyer me gji një vit e gjysmë, sepse nuk kisha çfarë t’i jepja. Ai nuk konsultohej për asgjë me mua. Kishte idetë e veta dhe vepronte sipas dëshirës. Kushtet ekonomike ishin të rënda. Burrin e gjeta në rrënoja, pa të ardhura, pa asnjë ekonomi. Ditë pas ditë filloi të përkeqësohej gjendja. Unë punoja në kooperative, fëmijën e merrja me vete, shpesh ma mbante dhe vjehrra.

Jeta ime ka qenë shumë e rëndë ekonomikisht. Kam derdhur shumë lot. Një vajzë më ka humbur në 86-ën, ma mori një përrua. Jeta ime ka qenë tragjedi. Jam gëzuar vetëm kur Zoti më soll fëmijët në jetë, por për asgjë tjetër. Burrin e kam dashur, edhe pse më dhunonte. Jeta jonë ishte dashuri dhe urrejtje. Më jepte urdhër të dilja jashtë në shi dhe borë me fëmijët për dorë. Në 97-ën, kur u hapen depot, kam shkuar e torturuar, doktori ligjor i ka matur me centimetër shenjat e trupit tim. Në 98-ën burri ra në burg. Unë asnjëherë nuk kam firmosur dokument për ta dënuar burrin tim.

Por jam ankuar vetëm të më linte të qetë. Unë kam bërë shumë denoncime. Policisë i jam lutur të merrej me të, por jo ta dënonin. Burri dhunonte dhe fëmijët. Sherrin e bënte në shtëpi. Ai ka vendosur dorë dhe në nënën e vet. Vjehrra më paralajmëroi: vështirë të kalosh me djalin tim, ai ka vënë dorë mbi mua. Unë e doja. Ai nuk kishte probleme të shëndetit mendor. Vetëm gjendja e rëndë ekonomike, varfëria ekstreme bënin kërdinë në familjen tonë. Edhe sot është më keq gjendja ekonomike në jetën time. Ai kishte bërë një plan. Ishte larguar nga familja. Kishte bërë plan për t’u martuar.

Në 90-ën mora vendim që të ndahem me të, sepse nuk duroja dhunën. Ai më kërkon që të dal nga shtëpia. Unë i them: si mund të dal nga shtëpia në këtë moshë? Ai po të më buzëqeshte një herë, isha e lumtur me të. Me prindërit nuk i kisha marrëdhëniet e mira. Ai më tha “do të sjell grua tjetër këtu”. Dhe kështu ndodhi. Dy javë para se të ndodhte ngjarja më solli një vajzë 17-vjeçare dhe më tha “do të dalësh nga shtëpia, kjo është gruaja ime dhe t’i nëse nuk ikën do të vras”. Fëmijët e përjetuan shumë keq. Ai e mori nusen dhe iku, sepse e kërkonte policia, pasi e kishte rrëmbyer vajzën.

Unë lajmërova policinë. Më kërkuan numrin e telefonit. Ata më thonë: vajzën e ka marrë për ta trafikuar apo për nuse? Unë i them: për nuse. Mora djalin e madh në Greqi dhe i them që puna jonë ka marrë fund. Ai më thotë do flas me të. Mos u mërzit, sepse na ke neve. Shkova te shtëpia e kunatit dhe i them: na dhunoi kaq vite dhe na braktisi. Ai më thotë: shko të shpija, rri e qetë. Pasi iku me gruan, më ka provokuar dhe dy herë të tjera. Më kërkonte të largohesha nga shtëpia. Më thotë: do të dalësh nga këtu ose do të vras.

Ai kishte armë. Qëllimi i tij ishte që unë të dilja nga shtëpia dhe ai të kthehej me nusen në shtëpi. Ishte nata e Bajramit. Nuk më zinte gjumi, vetëm dridhesha, më dukej sikur më dilte zemra vendit…qan… Dola jashtë, hyra brenda dhe ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte kurrë. Më mirë të më kishte vrarë mua. Pasi e kam goditur një herë të vetme, dola jashtë dhe kam njoftuar policinë. I thashë: unë e kam bërë këtë punë. Erdhen dy fugona policie më morën. Ndejta 72 orë në Burrel. Isha në mëshirë të fatit. Fëmijët ishin pa njeri në botë. Kam ikur në Tiranë, ku ndejta 8 muaj dhe më pas te burgu i grave deri ditën që jam liruar.

Çfarë ndodh më pas?
Vajza është përkujdesur për fëmijët. I ka bërë kërkesë bashkisë për strehim. Ka shkuar deri te avokati i popullit, por askush nuk i ka dhënë zgjidhje. Pesë anëtarë të familjes jetojnë me 50 mijë lekë të vjetra. Ndihma ekonomike që merrja unë. Në vitin 2018 ma hoqën dhe këtë ndihmë. Unë mblodha fëmijët dhe vetën dhe diskutuam. Jemi të mbaruar! Shtëpia është amortizuar. Vajza më thotë: këtu nuk kemi asnjë mundësi jetese. Unë thashë do marr djalin dhe do kërkoj azil jashtë shteti.

Është luajtur me dhimbjen time. Jam e zhgënjyer nga të gjitha drejtimet. Bashkia premtoi, por nuk bëri asgjë për mua. Ishim pesë veta dhe filluan të hanim në 1 milionshin. Vajza iku në Greqi, unë mora djalin dhe ika në Belgjikë. Atje mora një vendim pa ia shprehur djalit. Isha shumë e lumtur që ndodhem sot pranë jush. Vetëm për të folur me “Zemër të Hapur”. Kam pasur përherë dëshirë të vija në këtë emision. E vlerësoj shumë. Nuk nisem vetëm nga interesi për t’i thënë këto fjalë, por ju keni hyrë në thellësi të vuajtjeve shqiptare.

Jam e mbytur me borxhe deri në fyt. Në shtëpinë time kam lënë vetëm një kg domate, asgjë tjetër. Vuaj nga migrena, duhet të trajtohem me ilaçe. Djali është kuruar me një vitaminë D. I thashë të shkojë të filmojë banesën, por është shumë dobët. Në shtëpi më kanë prerë ujin gjatë kohës së azilit. E gjeta shtëpinë të dërrmuar dhe nga tërmeti. E përjetova shumë keq. Derdha lot dhe për bashkëatdhetarët tanë. Kemi fjetur jashtë me djalin, sepse kishim frikë nga paslëkundjet. Që kur jemi kthyer nga Belgjika në atë banesë nuk jemi ngrohur asnjëherë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here