Soni Malaj është fituese e shumë çmimeve në “Këngën Magjike” duke iu afruar finishit, e dyta dhe e treta. Këtë herën në “Këngën Magjike 2021” vjen me këngën e titulluar “Versioni im”. E pyetur nga Ardit Gjebrea, Soni tregon cili është pengu i saj më i madh në jetë.
“Pengje nuk kam, sepse jam një njeri që i bëj gjërat me shpirt dhe çfarë kam dashur në jetën time, e kam bërë dhe nuk është se kam ndonjë peng të madh. Ndoshta ato gjëra që vijnë nga Perëndia, siç është humbja e babait tim, që është peng shumë i madh, ato nuk janë në dorën time, por ne vazhdojmë të jetojmë”.
Një nga fanset e këngëtares, përmes një videomesazhi, e ka pyetur nëse ka pasur bërryla në muzikë dhe nëse është ndier sikur i ka hyrë dikush në hak. Ajo përgjigjet se në muzikë ka konkurrencë shumë të madhe dhe ka edhe nga ata që i kanë hyrë në hak.
“Është konkurrencë shumë e madhe, sepse edhe festivalet janë konkurrencë muzikore, kështu që normalisht me bërryla duke ecur përpara. Më kanë hyrë në hak, le të themi që po”.
