Fredi Beleri nuk do të betohet sot si kryetar i bashkisë së Himarës në konstituimin e këshillit bashkiak. Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ditën e djeshme rrëzoi kërkesën për leje të përkohshme me argumentin ligjor se ajo jepet vetëm në rast vdekje, martese apo provimi.
Fredi Beleri ndodhet në burg për akuzën e shitblerjes së votës. Mundësinë e radhës për tu ulur në karrigen e Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri e ka në 15 korrik. Pas rekursit, Gjykata e Lartë do të vendosë për masën e sigurisë, nëse do të lërë në fuqi arrest me burg apo do ta ndryshojë në arrest në shtëpi.
Moskryerja e betimit krijon një situatë të paqartë juridike. Ligji parashikon se mandati i kryetarit të Bashkisë përfundon kur ai nuk pranon të bëjë betimin. Në këtë rast situata është tërësisht e ndryshme, pasi ai ndodhet në kushtet kur nuk mund ta bëjë atë.
