Protesta e Partisë Demokratike, e thirrur nga Sali Berisha pritet që të mbledh në shesh qindra e mijëra qytetarë. Prej ditësh lideri i opozitës dhe deputetë e anëtarë të PD-së kanë bërë thirrje për të dalë në shesh kundër kësaj qeverisjeje.
Protesta do të zhvillohet para Kryeministrisë dhe PD ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës nga ora 19:00 deri në 21:00. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.
Përveç masave të marra nga policia, edhe Kryeministria ka marrë masat, duke blinduar dyert e godinës, sikurse në tubimet e mëparshme të opozitës. Një ditë më parë Berisha tha se protesta do të jetë epike për nga pjesëmarrja dhe qëllimet e saj, ndërsa shtoi se Edi Rama nuk meriton të qeverisë as edhe një ditë më shumë.
