Bordi i ngritur nga Ministria e Financave ka vendosur të mbajë në monitorim çmimet e disa prej produkteve të shportës, të cilat janë “Mielli, orizi, sheqeri dhe vaji i lulediellit”, me qëllim që ato të mos rriten pa kriter.
Gjatë një konference për mediat mbi ecurinë ekonomike në vend, Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj u shpreh se Bordi do të marrë një vendim për çmimet e këtyre 4 produkteve dhe ato nuk do të shiten në treg me çmim më të lartë nga ai që vendos bordi.
“Do përcaktojmë formulën për përcaktimin e çmimeve. Bordi i Ushqimeve ka vendosur që më 1 prill të mbajë nën monitorim 4 produkte. Pra mielli, orizi kokërrgjatë, sheqeri dhe vaji i lulediellit. Do përcaktohet marzhi i fitimit dhe do aplikohet. Do dalim sot me disa çmime referencë. Nuk do të jetë me çmim më të lartë nga ai që vendos Bordi, do publikohen sot çmimet” tha Ibrahimaj.
Gjithashtu, Ibrahimaj deklaroi se Financat po diskutojnë edhe për imputet bujqësore si dhe për garancinë sovrane.
Sakaq, bazuar në deklaratën e ministres Ibrahmaj, inflacioni me rritjen e çmimit të produkteve do të zgjasë më shumë se një vit, prandaj ajo tha se u pa nevoja e ngritjes së bordeve përkatëse.
“Do zgjas më shumë inflacioni, më shumë se harku kohorë i këtij viti. Prandaj u ngritën bordet.” nënvizoi Ibrahimaj.
