“Nuk do të ketë zgjedhje farsë pa u ndëshkuar krimi elektoral dhe pa u vënë përpara përgjegjësisë Rama dhe bashkëpunëtorët e tij Dako dhe Gjiknuri”, ka deklaruar Lulzim Basha menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes me aleatët për zgjedhjet e ardhshme.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit, i cili e ka quajtur këtë vendim të opozitës një tjetër vetëvrasje politike duke deklaruar se zgjedhjet as ndalen as shtyhen. Nga ana tjetër, po sot, kryetari i prezencës së OSBE-së, Bernd Borschart, i pyetur nga gazetarët u shpreh se zgjidhja duhet gjetur brenda vendit.
Sa për shtyrjen e zgjedhjeve, data është, shtyrja do të ishte një proces i ndërlikuar. Çfarë do të bëjë opozita në kushtet kur kryeministri prerë thotë se zgjedhjet nuk do të shtyhen? Çfarë do të bëjnë partitë opozitare për ta ndryshuar këtë? A do të ishte vetëvrasje politike përfshirja e opozitës në zgjedhjet lokale pas një kompromisi? Cili është elektorati që do të gjejë shpresë në partinë e re të krijuar nga Astrit Patozi, Bindja Demokratike.
I ftuar në “A2 Debat” Edmond Spaho u shpreh se opozita nuk bojkoton zgjedhjet, por kërkon kushte për mbajtjen e tyre. Ai tha se protestat do të përshkallëzohen dhe nga e enjtja do të bllokohen akset kombëtare.
“Qëndrimi ynë po vjen duke u përshkallëzuar. Opozita është sot mazhoranca reale. Përshkallëzuar qëndrimin tonë këto ditë, duke deklaruar se nuk regjistrohemi në zgjedhje për sa kohe të realizohen kushtet. Ne nuk jemi kundër mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Ne do të ishin të gatshëm të hynim në çdo palë zgjedhje pa Edi Ramën. Por zgjedhjet e 30 qershorit tashmë janë djegur, nuk ka më kohë për t’u mbajtur. Ne nuk po bojkotojmë, por duam kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Ne do të vazhdojmë me protesta dhe ato do të përshkallëzohen. Duke filluar nga e enjtja do të fillojmë me bllokimin e rrugëve, akseve kombëtare në të gjithë vendin për një periudhë kohe të caktuar, një orë. Më vonë, do të rritet edhe koha e bllokimit”, tha Spaho.
