Sot Admir Tafili ka realizuar celebrimin e radhës. Burime pranë burgut të Sigurisë së Lartë Burrel bënë me dije për tirananews.al se ceremonia është realizuar në ambjentet e këtij institucioni.
Grupi i gatshëm i Policisë së Burgut ka mundësuar në mesditë transportimin e punonjësit të Gjendjes Civile Burrel F.N, nga mjediset e Bashkisë Mat drejt Burgut.
“Po shoqërojmë punonjësin e Gjendjes Civile pasi ai ka me vete dokumenta që do të plotësojë në mjediset e burgut. Admir Tafili do të krye celebrimin me një vajzë nga kryeqyteti. Në dijeninë tonë Tafili është martuar edhe herë tjetër dhe kjo është lidhja e radhës. Nuk mund ta sillnim këtu Tafilin pasi është punë me rrezik”, tha një zyrtar i Burgut të Burrelit.
Kush është Admir Tafili?
Admir Tafili është dënuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj ish-shefit të Krimeve, Prel Pjetrushi. Kthesa e beftë që solli vrasje të bujshme, tentativa vrasje, plagosje të rëndë, arratisje nga burgu e shumë vepra tjera të rënda në vijimësi, nisën në ditën e nxehtë të 2 gushtit 2000. Bahri Tafili ishte shpallur në kërkim pasi dyshohej se ishte autor i vrasjes së Gëzim Gecit, pas një konflikti për çështje pronësie.
Shefi i Krimeve në Policinë e Shkodrës, Prelë Pjetrushi, dhe disa efektivë të tjerë në mesditën e 2 gushtit 2000 po kryenin një kontroll rutinë, kur vunë re se Bahri Tafili u largua me vrap dhe u mbyll në banesë. Menjëherë nisën tentativat për ta arrestuar, por Tafili dhe djali i tij Genci qëlluan me armë drejt forcave të policisë. Në kushte të tilla, Pjetrushi kërkon përforcime dhe në krye të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë vihet Drejtori i Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari.
Lidhur me ngjarjen e 2000 ku u vra Bahri Tafili, Kimete Tafili, bashkëshortja e tij, është shprehur se i shoqi është vrarë nga Prelë Pjetrushi pasi u dorëzua i prangosur, dhe se autorët e vërtetë të vrasjes së Arben Zylyftarit janë të lirë.
Admir tafili njihet edhe si kreu i grupit të ‘tritolit’ pasi teksa ndodhej në burg porositi vrasjen e Ibrahim Manit përmes Kristi Pinës, një bashkëpunëtor tashmë i drejtësisë. Në vitin 2010, Admir Tafili, mori leje nga burgu i Shën Kollit për të parë të ëmën e sëmurë dhe në këtë rast arratiset. Në mars të vitit 2011, vrau në pritë dy vëllezërit e Prel Pjetrushit në fshatin Grudë të Shkodrës. Muaj më vonë, pas një operacioni të suksesshëm policie Tafili arrestohet në Tiranë.
Dy vite më pas, në vjeshtën e 2013-s, ndërsa ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë, Admir Tafili me Fran Marashin, Gëzim Gurin, Artur Goran, Gëzim Tomën, Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulan arratisen, por një ditë më vonë prangosen nga RENEA në Prrenjas. Tashmë ai ndodhet në burgun e Burrelit ku është ngritur në grevë bashkë me të dënuar të tjerë pasi kërkojnë takime me familjarët.