Aktorin e njohur Xhevat Limani e takuam teksa interpretonte me mjeshtëri dhe plot krenari Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin, Skënderbeun. I ftuar nga kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla, në ditën e vlerësimit të altetes së shquar Luiza Gega, Limani ngjalli plot emocion tek të pranishmit në Pallatin e Kulturës “Minatori” në qytetin e Bulqizës.
I kontaktuar nga tirananews.al ai tregoi udhëtimin e tij brilant në skenat e vendit fqinj si dhe në skenat e vendeve të ndryshme të botës. Aktori shqiptar shquhet për interpretimin “original” të Gjergj Kastriotit, madje dhe pamja e tij është e veçantë. Gazetari Dëfrim Met’hasani do ta konsideronte Limanin si “Skënderbeu i kohëve moderne”. Në përgjigje të pyetjeve tona aktori Xhevat Limani u shpreh:
1. Kur nisi karriera Juaj artistike?
Karriera ime nis në vitet ‘60-të. Në vitin 1972 u regjistrova në degën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës. Si gjimnazist luajta tek “Akraballëqet” e Kristin Floqit dhe isha pjesëmarrës në disa recitale e radio-drama ku binte në sy zëri im kumbues. Pas diplomimit në Aktrim punova një vit, 1974-75, si profesor i gjuhës shqipe në gjimnazin e Strugës me ç’rast bëra shfaqje me gjimnazistë “Duke pritur Godonë” të Semjuel Beketit dhe u paraqitëm në Festivalin e Teatrove Alternativë në Velesh të Maqedonisë ku fituam 6 shpërblime nga shtatë që ndante Festivali. Ky triumf absolut motivoi Teatrin Shqiptar në Shkup (asokohe Teatri i pakicave) të më ftojë si aktor i rregull. Unë isha aktori i parë shqiptar i diplomuar ndër shqiptarët e Maqedonisë. Në 28 vite kam luajtur role dhe kam realizuar regjizura të shumë veprave origjinale që lanë gjurmë në Teatrin Shqiptar.
2. Cilat janë ndjesitë dhe emocionet e roleve të para?
Rolet e para natyrisht që kërkojnë përgjegjësi krijuese. Është shumë e rëndësishme si starton një profesionist para publikut dhe kritikës teatrore. Që në rolet e para u duartrokita gjatë dhe u vlerësova me komplimentime si “shpëtimtar” i artit shqiptar.
3. Cili është roli Juaj i preferuar?
Rolet e mija të dashur janë realizime që më bëjnë të ndjehem krenar. Mund t’i veçoj: Lulashi të drama “Gof” i Anton Pashkut, Hamidi i verdhë tek drama “Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi” të Teki Dervishit, Klaudi tek “Hamleti” i Shekspirit, Milo’s tek “Varrezë automobilash” të Fernando Arrabalit, Genti tek drama “Mbreti Gent” të Sherif Delvinës, “Laokonti” tek dramatizimi i Ismail Kadaresë, Kreoni tek “Antigone e Sofokliut” dhe “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu”.
4. Si jeni ndjerë kur keni luajtur rolin e Skënderbeut?
Rolet i kam realizuar me tërë qenien time dhe ndjehem krenar mes profesionistësh dhe i madh mes të mëdhenjësh. Rolin e Skënderbeut e kam luajtur dhe e luaj me shumë zemër. Në Manastir dhe në Athinë janë përpjekur t’më pengojnë të luaj Heroin Kombëtar. Unë, me vendosmërinë time, i kam realizuar projektet e mija.
5. Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Planet i mija për të ardhmen janë projekte konkrete. Me shëndet ndjehem mirë dhe shpresoj për realizime edhe më të mëdha. Unë trokas bindshëm dhe Shqipërisht me artin tim.