Këtë të martë, në Komisionin e Ligjeve po diskutohet projektligji mbi informacionin e klasifikuar. Ministrja e Marrëdhënieve me Parlamenin, Elisa Spiropali, ka deklaruar se në lidhje me sulmin e 15 korrikut, grupi i ngritur për të neutralizuar sulmin ka një raport të hollësishëm që është dorëzuar në Komisionin Evropian e në Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Pas sulmeve të 15 korrikut, grupi i ngritur për të neutralizuar sulmin, ka dalë me një raport të hollësishëm, përfshirë edhe kostot përkatëse. Nuk është ashtu siç disa nga kolegët tuaj thanë që një grup fëmijësh gjunjëzojnë qeverinë.
Nuk është një grup fëmijësh, por është një shtet i tërë. Është një sulm i sponsorizuar nga një shtet nga i cili ne kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Është një sulm serioz, por të dhënat nuk janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme, shërbimet nuk janë shkatërruar. Kemi arritur të parandalojmë një dëm që mund të kishte shkatërruar të gjitha të sistemin tonë të shërbimeve.
Ne kemi një plan/raport konfidencial të plotë që është dorëzuar në NATO, në Komisionin Evropian, në Departamentin amerikan të Shtetit dhe do të vijë edhe për buxhetim në Parlamentin shqiptar sepse ky është një projekt madhor. Të gjithë partnerët tanë në një zë e kanë vlerësuar reagimin e shpejtë të shtetit shqiptarë. Për momentin kaq mund të them dhe në vijim çdo informacion do të vihet edhe në dijeni të Parlamentit të Shqipërisë”.