Drejtuesja politike e PS-së në qarkun Shkodër, ministrja Elisa Spiropali, gjatë një takimi me qytetarë të Pukës, ku i pranishëm ishte dhe kryeministri Edi Rama, tha se sot Puka falë investimeve është një perlë e vogël e veriut.
“Ne jemi takuar shpesh bashkë këtu në Pukë e çdo njësi administrative e kemi biseduar për të gjitha ato që janë bërë e do të bëhen. Nuk është nevoja t’ju a themi ne si ishte Puka e si është sot Puka. Puka ishte pa shpresë, si një vend i harruar edhe pse me bukuri të mëdha. Puka ishte pa ujësjellësa, pa rrugë,pa rehabilitim të qendrave urbane, p asnjë infrastrukturë dhe pa asnjë perspektivë për turizëm e zhvillim ekonomik. Sot Puka është një perlë e vogël e veriut të Shqipërisë. Bukurinë ky vend e kishte aty dhe më parë po sigurisht duhej dedikimi, vizioni, puna dhe bashkëpunimi me qeverinë”,-tha Spiropali.
Nga ana tjetër, Spiropali u ndal dhe tek fushata e opozitës në Pukë e Fushë-Arrëz. “E keni parë çfarë fushate kanë bërë në Pukë e Fushë-Arrëz. Në të gjithë qarkun e Shkodrës nuk ka dëshmi më të pastër të fytyrës së tyre të vërtetë. Kanë treguar fytyrën e tyre këtu e në Fushë-Arrëz me sherre, me dhunë me ato që ne i quajmë sherre të non-gratës në Tiranë dhe të gjitha i kanë transferuar këtu, jo për të mirën e Pukës e Fushë-Arrëzit po për fatin e 2 njerëzve të vetëm. Kandidatët me qira të Ilir Metës këtu e në Fushë-Arrëz nuk e arrin dot të marrin peng këtë trevë të mrekullueshme të Shqipërisë, sepse Puka dhe Fushë-Arrëzi do të vazhdojnë vetëm përpara”, përfundoi ajo.
