Pas debateve ditët e fundit lidhur me shërbimin e ushqimit në spitale, COVID1 ka vendosur të mos lejojë më ushqim nga familjarët.
Në spital, ligjërisht asnjëherë nuk është lejuar që të futet ushqim për familjarët, por në situatën e pandemisë, ishte bërë praktikë dërgimi i ushqimit për të afërmit e sëmurë. Tashmë, as kjo praktikë e dërgimit të ushqimit nuk do lejohet.
Kohët e fundit, ka një rritje të urgjencave tek Infektivi. Mjekët po bëjnë thirrje për shumë kujdes, pasi së fundmi po preken nga Covid shumë mosha të reja.
E pyetur për shërbimin e ushqimit në spitale, ministrja Manastirliu gjatë një konference me kryeministrin Rama tha se ushqimi nga familjarët është lejuar, si një mënyrë për ti sjellë afër pacientit.
“Të gjitha spitalet në vendin tonë ofrojnë ushqim. Një pjesë e spitaleve ofrohen përmes shërbimit katering, përmes një kontrate, ashtu sikurse ofron dhe spitali “Shefqet Ndroqi”, janë një pjesë e spitaleve të tjera që e kryejnë këtë shërbim përmes kuzhinave të spitaleve. Përsa i përket “Shefqet Ndroqi”, por dhe spitalit infektiv ka qenë vendimarrje e vetë strukturave të spitaleve për të patur një kanal të komunikimit me familjarët dhe në aspektet e ushqimit apo ndërresave. Rregulli është të mos lejohen ushqime nga jashtë. Në spitale ti trajtohesh në dieta të përcaktuara kalorike dhe nuk lejohet që një pacient që ka sëmundjen e diabetit të marrë kalori të tepërta që me terapinë e mjekimit të krijojë problematika të tjera shëndetësore. Ka qenë një mënyrë për ti qëndruar afër familjarit duke i shërbyer dhe përmes sjelljes së ushqimeve, por jo se spitali apo shteti nuk e garanton. Ka qenë kërkesë e familjarëve dhe është pranuar nga stafet e spitaleve. çfarë ka ndodhur na ka bërë për të reflektuar dhe më shumë dhe për të marrë masa për të bërë një sistem të kontrollit segmentar në të gjitha hallkat e ushtrimit të shërbimit të kujdesit infermieror dhe atyre të shërbimit mjekësor. Patjetër që sa i përket korrektësisë nuk duhet të vihet në dyshim”, tha ajo.
