Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj pas pesë orësh në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ka përfunduar dëshminë në lidhje me dy procedimet penale ndaj tij.
Në dalje të tij ai nuk ka pranuar të flasë për gazetarët duke thënë vetëm se ka sqaruar pozicionin e tij dhe do të paraqitet sa herë të jetë e nevojshme.
“Sqarova pozicionin tim dhe do të vij sa herë të duhet”– mësohet të ketë thënë Ahmetaj.
Emri i Arben Ahmetajt u lakua në inceneratorin e Elbasanit, pasi në kompjuterin e Klodian Zotos u zbuluan të dhëna që tregojnë se si i kërkuari në kulmin e përpjekjeve për koncensionarin i kishte paguar udhëtime luksoze ish-ministrit të Financave.
SPAK këmbëngul se prej disa muajsh po kërkon prova për ish funksionarin dhe për këtë shkak një grup i BKH-së kontrolloi një vilë në pronësi të bashkëjetueses së tij, Erjola Hoxha.
Më 26 prill, Gjykata Anti Korrupsion e Apelit la në fuqi sekuestron preventive të vendosur nga SPAK ndaj vilës së bashkëjetueses së tij.
