Gjendja në tribunën dhe shkallët e stadiumit “Liri Ballabani” në qytetin e Burrelit është kritike. Prej katër vitesh në këtë objekt të rëndësishëm të sportit nuk është vënë dorë nga pushteti lokal.
Më problematike gjendja paraqitet në tribunë. Prej javësh catia është dëmtuar për shkak të agjentëve atmosferikë dhe Bashkia Mat nuk është kujtuar për ta riparuar. Ajo jo vetëm është jashtë funksionit, por përbën rrezik për tifozët që ndjekin ndeshjet nga kjo tribunë.
Kujtojmë se tre vjet më parë Federata e Futbollit i dhuroi Bashkisë së Matit 3 mijë ulëse të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, ndërkohë bashkia nuk i montoi ato.
Investimi i fundit në “Liri Ballabani” është kryer në vitin 2012 nga FSHF dhe Bashkia Mat, në vlerën 25 milion lekë të rinj, duke vendosur tapetin natyral për herë të parë në këtë impiant sportiv. /tirananews.al/