Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit SPAK nis sot marrjen e dëshmive në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Një ndër personat që do të pyetet është mjeku Artan Koni, i cili në dhjetor të 2019 përmes një video-mesazhi denoncoi se para koncesionit kosto e setit kirurgjikal kushtonte vetëm 2.4 euro dhe kostot nuk ndërhynin në numrin e operacioneve, sot pas koncesionit ne paguajmë mesatarisht 190 euro për set kirurgjikal.
Padia për zyrtarët shtetërorë, që nënshkruan kontratën e sterilizimit, u dorëzua në SPAK nga Nisma “Thurje” më 23 dhjetor, duke u shënuar si padia e parë që i adresohej këtij institucioni të drejtësisë së re.
Sipas informacioneve, ditën e sotme SPAK-u do të marrë në pyetje një numër zyrtarësh të përmendur në këtë padi.
Në 2015 qeveria vendosi të japë me koncesion strerilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit.
Kjo u shoqërua më shumë debate pasi pas tenderit me vlerë 100 milionë USD ishte një biznesmen i vogël shqiptar nga Peruxhia, pronar i një agjencie ndërmjetësimi dhe një kompanie ndërtimi, e cila kishte një kapital prej 1000 eurosh dhe asnjë përvojë mjekësore.
Sipas asaj që raporton gazetari i Euronews Albania, Xhevahir Zhabina, hetimi i SPAK-ut për koncesionin e “Sterilizimit” pritet të kalojë në “lupë” një numër të madh dokumentesh.
Kjo është padia e parë që ka kaluar në Prokurorinë e Posaçme. Ajo u depozitua në Prokurori në datën 23 dhjetor të 2019, tre ditë pas themelimit të SPAK-ut.