Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka zbuluar kodin me të cilin udhëhiqen focat e rendit gjatë protestave të opozitës.
“Çështja e vetme që jam marrë si ministër i Brendshëm gjatë këtyre protestave është strategjia 1,1,0 që do të thotë reago një çast më mbrapa të atij që ke përballë, reagon një nivel më poshtë në nivel të dhunës nga ai që ke përballë dhe zero viktima. E kam formuluar kështu për t’u mbajtur mend më thjesht. Është e vetmja shkresë ose ndër të vetmet shkresa që i kam dërguar policisë. Është një udhëzim i ministrit të Brendshëm”, theksoi ai në “Java” në RTSH.
Ministri e konsideroi stinë skizofrenike periudhën e protestave, duke shtuar se nga shkurti janë realizuar 11 të tilla.
“Preokupimi im bazë sidomos në këtë stinë skizofrenike të një proteste të paarsyeshme dhe të përballjes së policisë me sfida të jashtëzakonshme dhe të precedentë në historinë e re të shtetit shqiptar. Kemi që nga 16 shkurti 11 protesta. Dhe thuajse një apo dy nuk është ushtruar dhunë masive. Policia në këtë situatë kërkon mbështetje politike dhe njerëzore. Unë jam zëdhënësi i policisë në këtë situatë për ta përfaqësuar dhe për të qenë zëri i tyre dhe për të garantuar mbështetjen e nevojshme për këtë situatë stresi jo të vogël”, u shpreh ai.