Pranvera Kola
Janë 710 kuotat e pranimeve të reja për ciklin e dytë të studimeve “Master profesional”, si dhe “Master shkencor” të miratuara për Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Krahas kritereve të pranimit, autoritetet e Universitetit të Tiranës kanë detajuar tashmë edhe kuotat e mundëshme për të 7 programet e studimit të ciklit të dytë që do të ofrojë ky fakultet për pranimet e vitit të ri akademik 2021-2022. Pjesa dërrmuese e kuotave, përkatësisht 510 prej tyre janë për studentët e rinj që do të ndjekin për herë të parë programet e “Masterit shkencor”, ndërsa 200 kuotat e tjera janë për pranimet e reja në degët e “Masterit profesional”. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë ndarjen e kuotave për secilën nga këto shtatë degë studimi të ciklit të dytë.
Sa i takon përzgjedhjes së fituesve, autoritetet sqarojnë se kriteret për pranimet në ciklin e dytë të studimeve në Drejtësi përfshijnë dëshminë e mbrojtjes së gjuhës së huaj sipas testeve ndërkombëtare të licencuara nga MASR, si dhe mesataren në rend zbritës. Në varësi të numrit të kuotave të përcaktuara për secilën degë do të bëhet edhe përzgjedhja e fituesve të rinj duke u dhënë fillimisht prioritet studentëve që kanë kryer ciklin e parë të studimeve në këtë fakultet. Nëse do të ketë kuota të tjera të lira, prioriteti i radhës në përzgjedhje do të jenë studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në një nga universitetet publike, ndërkohë që të tretët në përzgjedhje do të jenë studentët që kanë kryer studimet e ciklit të parë pranë universiteteve jopublike.
Sipas kushteve të përcaktuara më herët, në ciklin e dytë kanë të drejtë të aplikojnë kandidatët që kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë në fushën përkatëse të studimit ose në fusha të tjera të përafërta, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit. Po ashtu mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të licencuar dhe akredituar. Në çdo rast pranimi, kandidati duhet të ketë kryer njësimin e diplomës pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë. Edhe për pranimet e vitit të ri akademik, konkurimi do të zhvillohet me anë të dosjes së dokumenteve, ku të gjithë kandidatët do të kenë afat deri në datën 18 tetor për të bërë aplikimin për studimet “Master” pranë sekretarive të fakultetit. Ndërsa në datën 3 nëntor do të shpallet lista e fituesve për të vijuar më pas me regjistrimin e tyre sipas programeve ku janë përzgjedhur.
Programet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Këto programe mund të realizohen me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diploma (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master I Shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Programi i studimit të këtij cikli mund të realizohet edhe si program i integruar i studimit i ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike. Ky program studimi ofrohet në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore. Studimet në këtë program përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Këto programe realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
Kriteret për pranimet në ciklin e dytë të studimeve në Drejtësi janë:
Dëshmi e mbrojtjes së gjuhës së huaj sipas kritereve të përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi.
Nota mesatare në rend zbritës.
Prioriteti i parë në përzgjedhje janë studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, prioritet i dytë në përzgjedhje janë studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve në një nga universitetet publike dhe i treti janë studentët që kanë përfunduar ciklin e parë të studimeve pranë universiteteve jopublike.
Kuotat e pranimit në degët e “Masterit shkencor” për 2021
Master Shkencor në të Drejtë Civile 170
Master Shkencor në të Drejtë Penale 170
Master Shkencor në të Drejtë Publike 170
Kuotat e pranimit në degët e “Masterit profesional” për 2021
Master Profesional në të Drejtë Civile 50
Master Profesional në të Drejtë Penale 60
Master Profesional në të Drejtë Publike 40
Master Profesional EU Business Law 50