A mund ti mbulojnë shpenzimet mujore shqiptarët me të ardhur? 70% e punonjësve shqiptarë hasin vështirësi në plotësimin e nevojave të tyre mujore, përqindja më e lartë në Europë, sipas një studimi të Komisionit Europian.
Gjetjet u publikuan në një raport të fundit mbi kushtet e punës dhe implikimet e ardhshme. Anketa kryhet një herë në pesë vjet përmes anketave të 70 mijë punëtorëve në 36 vende evropiane.
Punonjësit shqiptarë mund të kenë orët më të gjata të punës në Europë, por rezulton që kanë shpejtësi më të ulët në kryerjen e detyrave të tyre dhe nuk ndodhen nën presionin e afateve.
Puna me shpejtësi të larta është e shpeshtë apo e zakonshme për më pak se 30% të punonjësve shqiptarë, ndërsa presioni për afatet për rreth 25%, të dyja më të ulëtat në Europë. Për krahasim, në Greqi, që është shteti me intensitetin më të lartë të punës, 65% e punonjësve deklarojnë se u kërkohet të punojnë me intensitet të lartë dhe 55% se punojnë nën presionin e afateve.
Për sa i përket sektorit, puna me shpejtësi të lartë ishte më e zakonshme në shëndetësi, tregti dhe hoteleri dhe shërbime financiare, puna me afate të rrepta ishte më e zakonshme në shërbimet financiare, ndërtim dhe transport.