Stuhia e paralajmëruar nga meteorologët dhe strukturat e emergjencave civile përfshiu këtë të premte disa qytete të vendit, duke sjellë reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta, që shkaktuan probleme në disa zona.
Në Elbasan, reshjet e dendura zgjatën rreth 40 minuta, duke krijuar një shtresë të bardhë breshëri në rrugë dhe duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve. Sipas Emergjencave Civile, në vetëm 38 minuta ranë 40 milimetra shi të shoqëruar me breshër.
Si pasojë e motit të keq, disa bodrume u përmbytën, ndërsa ekipet zjarrfikëse ndërhynë për largimin e ujit. Gjithashtu, në qytet u rrëzuan disa pemë, pa shkaktuar dëme në njerëz. Stuhia preku edhe zonat rurale, si dhe bashkitë e Librazhdit dhe Përrenjasit.
Reshje të forta breshëri dhe erëra të fuqishme u regjistruan edhe në Korçë dhe zonat përreth. Megjithëse stuhia zgjati vetëm pak minuta, ajo la pas dëme të vogla, ndërsa një pemë u rrëzua në qytet duke bllokuar një pjesë të trotuarit, pa shkaktuar pasoja.
Ndërkohë, në fshatin Derdush të Pogradecit, një tufë bagëtish u godit nga rrufeja gjatë stuhisë. Sipas të dhënave paraprake, ngordhën rreth 10 krerë bagëti të imta, ndërsa 17 të tjera mbetën të plagosura.
Bagëtitë, rreth 190 dele dhe dhi në pronësi të shtetases Tatjana Biçoku, ishin duke u zhvendosur nga zona e Pirgut drejt kullotave malore kur u goditën nga shkarkesa elektrike.
Pas përmirësimit të motit, ekipet në terren kanë nisur verifikimet për të evidentuar dëmet e shkaktuara nga stuhia në zonat e prekur
