Kreu i shtetit Ilir Meta ka përkujtuar 19 vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA duke u shprehur se dy vendet tona janë të bashkuara në vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, në përpjekje për ti mbrojtur ato ndaj kërcënimeve të përbashkëta.
“Në krah të popullit amerikan, përkujtojmë sot viktimat e pafajshme të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe solidarizohemi me familjet e tyre!
Shqipëria mbetet e vendosur në angazhimet e saj përkrah SHBA dhe NATO-s në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe çdo akti që vë në rrezik stabilitetin dhe paqen në botë dhe rajonin tonë.
Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në vlerat e tyre të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë, dhe në përpjekjen për t’i mbrojtur këto vlera nga kërcënimet e përbashkëta si terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, fondamentalizmi fetar dhe autoritarizmi.🇦🇱🤝🇺🇸”, shkruan Meta në rrjetet sociale.