“Taksa e fshehur e fiskalizimit është një barrë e re fiskale që i vendoset padrejtësisht nga dy herë bizneseve të vogla, bizneseve të mesme dhe natyrisht dhe bizneseve të mëdha”, deklaroi sot ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Tabaku tha se “që nga 1 janari i vitit të ardhshëm, bizneset dhe sipërmarrjet në Shqipëri do të paguajnë afërsisht 2000 euro në vit shtesë”.
“Fiskalizimi përfshin një shtesë të kostove të internetit me mesatarisht 130 euro në vit, ndërkohë që vlera e përditësimit të sistemeve financiare shkon mesatarisht deri në 500 euro në vit nëse biznesi zotëron një llogari. Të gjitha këto përllogaritje kryhen pa pasur parasysh çmimet që do të ofrojnë kompanitë që do të merren me programin e fiskalizimit. Por burimet nga sipërmarrjet që kanë kryer disa llogari personale flasin për një kosto të faturave të fiskalizimit që shkojnë mbi 650 euro deri në 1626 euro/vit”, tha Tabaku.
Ajo siguroi se “ne do të ndahemi një herë e mirë nga keqqeverisja dhe abuzimi me taksat e shqiptarëve”.
