Kryeministri Edi Rama ka dalë sot para mediave së bashku me ministren e Financave Anila Denaj dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Tatimeve për të folur për ekonominë, me fokus tek taksat dhe administrimi fiskal.
Rama tha se është e rëndësishme të kihet parasysh nisja duke theksuar se jemi ende në mes të rrugës, në procesin e ndërtimit të të gjitha sistemeve.
“Do të fokusohemi tek taksat dhe mirëadministrimi fiskal. Është shumë e rëndësishme që sot të kihet parasysh kur flasim për sistemin tonë të taksave dhe administrimit fiskal nga vijmë. Jemi ende në mes të rrugës. Jemi ende në një proces ndërtimi të të gjithë sistemeve që do të mundësojnë funksionimin modern transparent dhe eficent të gjithë këtij sektori kyç, sektori i të ardhurave dhe i administrimit të tyre”, deklaroi Rama.
Ai tha se sot biznesi është më i lehtësuar se shtatë vite më parë, dhe se 4-vjeçarin tjeter gjithcka do të jetë në sistem online.
Ai tha se është mbajtur premtimi për 300 mijë vende pune. “Mund të thuhet që kantieret tona të rindërtimit dhe secili le të sjellë në imagjinatë, Laçin apo Thumanën ku puna është në vazhdim. Janë pasqyrë e punës. Janë ngritur themelet por nuk është ende një situatë e banueshme, në sensin e fuksionalitetit të plotë. Kjo është situata edhe në këtë sektor. Krahasuar me dje është një situatë qartësisht e ndryshme dhe shihet e nesërmja. Është këngë e përsëritur për qëllime propagandistike. Kemi premtuar 300 mijë vende pune dhe sot thjesht duke iu referuar shifrave të regjistrit të punës, hapeni dhe shikojeni ju që jeni ndërmjetësit. Hapeni dhe shikojeni. Thuajuni njerëzve nëse është apo jo e vërtetë. Janë apo nuk janë 225 mijë më shumë deri në fund të 2019? Paguhen dhe paguajnë sipas vendit të punës. E sjell këtë shembull për të thënë se në çdo aspekt është e njëjta gjë. Ndryshimi është nata me ditën. Ndryshimi me ku duam të shkojmë është muzgu me agimin. Domethënë nëse sot më thoni ç’mendoj unë për ata që mendojnë njerëzit në aspektin ekonomik dhe marrëdhëniet me shtetin, unë them që ata nuk ka sesi të ndjehen të kënaqur. Ama nga ana tjetër nuk ka sesi mos të shohim që jemi në një kantier që është e dukshme ajo që është ndërtuar”, u shpreh ai.
