Pas një seance maratonë që nisi në orën 10:00 të së enjtes dhe përfundoi në mesnatën, Kuvendi i Shqipërisë votoi edhe ligjin për “Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”, një ligj i cili ka bërë bashkë deputetët e mazhorancën dhe të opozitës.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, tha se përmes këtij ligji, ndërtohet një platformë komunimi mes strukturave shtetërore dhe komuniteteve, me qëllim mbrojtjen e viktimave të mundshme dhe parandalimin e veprimeve të të dënuarve, duke kufizuar kështu kontaktin fizik apo virtual.
“Është një projektligj që mbi të gjitha respekton të drejtat themelore të njeriut të parashikuara në Kushtetutën tonë në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, është një ligj që vjen i përafruar gjithashtu me direktivën e Bashkimit Europian dhe mbi të gjitha që vendos në përparësi absolute mbrojtjen dhe interesin më të lartë të fëmijëve. Ndaj, është shumë e rëndësishme që ky ligj të fillojë menjëherë zbatimin e tij. Sigurisht, nuk do të jetë pilula çudibërëse, por do të jetë një instrument më shumë në dorën e institucioneve por edhe në vetëdijen qytetare, i cili do të ndihmojë realisht në përpjekjen e madhe për të parandaluar rastet apo edhe për të ulur shkallën e recidivizmit përsa i përket krimeve apo abuzimeve seksuale”, tha Manastirliu.
