Për ish ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo, QSUT është kthyer në një vatër infektimi, ndërkohë që nuk duhej të ndodhte kategorikisht pasi është një mjet dhe front kundër pandemisë.
“Rreziku vazhdon. QSUT-ja është kthyer në një vatër infektimi, ndërkohë që kjo s’duhet të ndodhte kurrën e kurrës, pasi është një instrument dhe një front kundër pandemisë. Ka raste edhe në spitalin e Traumës. Edhe në spitale të tjera që mbahen të fshehura”, shprehet Tavo duke akuzuar qeverinë se shfrytëzoi pandeminë për përfitime financiare dhe korruptive.
Tavo shton se personeli mjekësor është i braktisur dhe pa mbrojtje.
Përsa i përket politikës së ditës, si ish deputet i LSI-së, Tavo thotë se pas miratimit të Reformës Zgjedhore, Shqipëria do të shkojë menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore, i cili është një nga kushtet, që BE-ja i ka vënë qeverisë “Rama”.
“Në lidhje me Reformën Zgjedhore, unë i qëndroj deklaratës së Opozitës së Bashkuar, e cila thekson se kërkohet miratim pa vonesa i draftit të depozituar zyrtarisht në Kuvend, sipas Marrëveshjes Politike të 14 Janarit. Ky miratin duhet të jetë pa asnjë ndryshim. Manovrat, apo provokimet do të minonin konsensusin e arritur midis forcave politike. Në rast të ndonjë provokimi dhe shkelje jo vetëm Shqipëria do penalizohej në procesin e saj të integrimit evropian, por ky do ishte një zhgënjim i madh edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët janë angazhuar maksimalisht gjatë të gjithë procesit dhe për nxitjen e palëve politike drejt këtij konsensusi që i hap rrugë zgjedhjeve”, tha Tavo.
