Regjisor në media, aktor në dublime dhe prej pesë vitesh punon si animator në festat e fëmijëve. Arbër Islami na tregon se kjo zgjedhje ishte mes pasionit të tij dhe tregut të punës dhe ndjehet i kënaqur për këtë. Por vështirësia më e madhe në këto pesë vite janë këto kohë pandemie nga koronavirusi ku gjatë kohës së izolimit festat u ndaluan tërësisht dhe tashmë janë disi të kufizuara.
Arbri tregon për tirananews.al vështirësitë në këto kohë, ku sigurisht që nuk ka të njëjtin numër festash si një vit më parë, por ato nuk mungojnë. Sot trendi ka ndryshuar ku zgjidhet festa në natyrë dhe pse mund të ketë kapriço të motit dhe vështirësia më e madhe është mosafrimi i fëmijëve, atyre të cilëve animatori duhet tu dhurojë argëtim. Përsa i përket konceptit të festave Arbri thotë se koha e karantinës i ka shërbyer atij për të krijuar personazhe dhe ide të reja, por ndërkohë përveçse këshillave për ruajtjen e distancës festat organizohen njësoj.
Përshëndetje Arbri. Prej vitesh keni punuar në media, aktor, ndërkohë që tashmë punoni si animator. Pse ky ndryshim? Për shkak të tregut të punës apo dhe një pasion i juaj i fshehtë?
Unë kam rreth dhjetë vjet që punoj në media si regjisor por edhe si aktor në dublime të ndryshme filmash vizatimor dhe dokumentar. Ndërsa si animator eventesh kam rreth 5 vjet që punoj. Ky ndryshim është edhe pasion sepse të them të drejtën është e vetmja punë që e bëj me shumë pasion dhe dashuri. Por dhe kërkesa e tregut do të thoja nuk është e vogël. Ka ndodhur të kem dhe tre evente në një ditë.

Në karantinë sigurisht që festimet ishin të ndaluara, si e keni kaluar ju atë periudhë?
Në karantine do thoja që ishte vërtetë i vështirë qëndrimi brenda. Por shërbeu për të përpunuar ide të reja dhe ishte shumë kreative. Mua zakonisht me pëlqen të sjell gjëra ndryshe nga shumë animatorë të tjerë por jo vetëm në fushën e animacionit por edhe në fusha të tjera të artit. Për këtë bera një specializim në Itali ku vërtetë mësova shumë gjëra interesante të cilat nuk janë provuar më parë në Shqipëri. Madje jam përpjekur edhe konceptin e kllounit ta largoj. Sepse personazhi im qe kam krijuar quhet Tili dhe nuk kam veshje kllouni. Mbi të gjitha e bën personazhi festën, jo veshja.
Edhe sot, dhe pse nuk ka izolim ka disa kufizime. Si po funksionon organizimi i eventeve. A ka rënie të kërkesave?
Tashmë që izolim nuk ka patjetër që ka disa kufizime. Në përgjithësi njerëzit i bëjnë festimet në ambiente të hapura. Kjo mund të sjell dhe surpriza të pakëndshme sepse ndodh që bie shi papritur dhe festa ndërpritet. Plus përpiqem të shmang sa më shumë kontaktet me njerëzit. Dhe normalisht edhe kërkesa janë të pakta për shkak të frikës. Por dhe ne kemi frikë vetë shpesh kur shkojmë nëpër festa sepse kurr nuk i dihet ngaqë ne jemi në një farë mënyrë të detyruar t’i qëndrojmë pranë fëmijëve sepse ndryshe mund t’i dukesh i ftohtë atyre dhe gjithçka mund të prishet.
Sigurisht në këto kushte ndryshon dhe koncepti i festave, e sidomos ato të fëmijëve. Si i keni menduar ato?
Unë dhe para se të shpallej pandemia gjithmonë i them fëmijëve të më qëndrojnë 3 metra larg. Sigurisht nuk i them fiks distancën por më duhet t’i them që të më qëndrojnë në distancë sepse ndryshe nuk merret vesh asgjë. Ndërsa si koncept është po ai, nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë. Unë e them gjithmonë rëndësi ka të kënaqen fëmijët se sa të rriturit./ tirananews.al

